Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore
Më 25 shtator 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi një trajnim dyditor për Policinë e Shtetit mbi hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore. Në trajnim morën pjesë 17 oficerë policie nga të 12 drejtoritë vendore të policisë nga e gjithë Shqipëria, që mbulojnë policinë kriminale, sigurinë publike dhe njësinë e krimit mjedisor.
Trajnimi u mbajt nga një grup ekspertësh të huaj e vendas. Pjesëmarrësit u pajisën me njohuri mbi standardet vendase dhe ndërkombëtare për hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Bashkimin Evropian dhe në Shqipëri. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore e oficerëve të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional.
“Shpresojmë që trajnimi dhe diskutimet gjatë këtyre dy ditëve të jenë të dobishme për punën tuaj dhe të shërbejnë si një platformë për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis të gjithë aktorëve të angazhuar në luftimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, i cili hapi takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati.
Trajnimi bazohet në mbështetjen e Prezencës për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri dhe përfshirjen e saj aktive në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare për të adresuar sfida të tilla.
Në vitin 2023, Prezenca hartoi dhe paraqiti një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri për programin e formimit fillestar 2023-2024. Në dhjetor 2023, Prezenca mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnim për të gjithë zinxhirët institucionalë të ndëshkimit të krimit mjedisor dhe po punon për të adresuar disa nga këto nevoja në kuadër të projektit. Vlerësimi i nevojave për trajnim vuri në pah rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hodhi dritë mbi gjendjen aktuale, identifikoi boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe u hapi rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë institucionet në përpjekjet e tyre për të luftuar krimet mjedisore në mënyrë efektive.