Prezenca e OSBE-së organizon vizitë në Suedi për gazetarët shqiptarë, për të përmirësuar raportimin për çështjet e sigurisë
Nëntë gazetarë nga mediat kryesore në Shqipëri dhe dy zyrtarë për marrëdhëniet me mediat nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit morën pjesë në një vizitë pune, në Stokholm të Suedisë, organizuar nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj për armët e vogla e të lehta (AVL), nga 8 deri më 11 prill 2024. Veprimtaria, e dyta e këtij lloji, synonte rritjen e angazhimit të medias në trajtimin e çështjeve të sigurisë.
Delegacioni shqiptar vizitoi redaksinë e lajmeve të televizionit suedez SVT dhe u bashkëbisedoi me gazetarë që mbulojnë çështjet e sigurisë. Ata u takuan edhe me zyrtarë shtetërorë dhe joshtetërorë, përfshirë organizatat e medias dhe u njohën me fushata ndërgjegjësuese novatore, në të cilat media ka vepruar si partner strategjik për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e publikut.
Strategjia e hartuar së fundmi për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e AVL-ve identifikoi dhe theksoi rolin e mediave si partnerë strategjikë në informimin dhe edukimin e publikut në lidhje me rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit, duke kontribuar drejtpërdrejt në objektivat e Udhërrëfyesit për Kontrollin e AVL-ve[1].
Si pjesë e përpjekjeve për zhvillimin e medias, projekti po kryen monitorimin e gjendjes aktuale të raportimit të medias si dhe vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve për gazetarët shqiptarë që raportojnë për çështjet e sigurisë dhe dhunës me bazë gjinore. Në bazë të gjetjeve, projekti do të zhvillojë një udhëzues për median, në vijim të të cilit do organizohen sesione trajnimi për gazetarët.
Vizita e punës është pjesë e një sërë përpjekjesh për ngritjen e kapaciteteve për të rritur rolin e medias në fushatat e ndërgjegjësimit të publikut dhe në vlerësimin e nevojave për ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve në lidhje me raportimin cilësor. Vizita e parë për mediat u organizua në Beograd, në dhjetor të vitit 2022.
Vizita në Stokholm u organizua me mbështetjen e ambasadës së Suedisë në Tiranë, Unionit Suedez të Gazetarëve, televizionit suedez SVT, policisë suedeze, Agjencisë Suedeze të Kontingjenteve Civile dhe Projektit kundër Dhunës në Suedi.
Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të AVL-ve” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
[1] https://www.seesac.org/f/docs/publications-salw-control-roadmap/Regional-Roadmap-for-a-sustainable-solution-to-the.pdf