Prezenca e OSBE-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë tryezë teknike për përmirësimin e fushatave të informimit dhe edukimit të zgjedhësve
Në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 2025 në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan, më 3 prill 2024, një seminar teknik mbi gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me edukimin e zgjedhësve.
Duke hapur veprimtarinë, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha: “Ka një sërë çështjesh që ngrihen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si nga ato më të fundit për zgjedhjet vendore, por edhe nga ato të mëparshmet, që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore, të ligjit zgjedhor ose të ndonjë ligji tjetër, por më tepër zbatim të ligjit dhe, në disa raste, ndëshkim për moszbatimin e tij”.
Duke e konsideruar fushatën e informimit dhe edukimit të zgjedhësve të zgjedhjeve të vitit 2023 ndër më të mirat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se ajo që është arritur deri më tani përbën një bazë shumë të mirë për të zhvilluar programe edukimi dhe informimi, veçanërisht për disa kategori zgjedhësish. Ai shtoi se institucione të tjera duhet të rrisin vëmendjen ndaj disa kategorive që, për arsye të ndryshme ligjore, nuk i qasen dot procesit të votimit.
Tryeza shërbeu si një forum diskutimi për përfaqësuesit dhe ekspertët e KQZ-së, institucioneve të tjera shtetërore, shoqërisë civile dhe partive politike se si të përmirësohen fushatat informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese të zgjedhësve.
Diskutimet u fokusuan te gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e programeve të edukimit të zgjedhësve, si edhe te gjetjet e grupeve të vëzhguesve vendas dhe përvoja nga vëzhgimet e organizatave të shoqërisë civile.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një strategjie më të gjerë për informimin e zgjedhësve, të përshtatur për nevojat specifike të kategorive të ndryshme të zgjedhësve, në kohë për zgjedhjet e ardhshme. Theks i veçantë iu vu përfshirjes së grupeve të nënpërfaqësuara, si pakicat kombëtare, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë zgjedhësit me shikim të dëmtuar, gratë, të rinjtë, si edhe zgjedhësit që banojnë në zona rurale ose të largëta.