OSBE-ja mbledh të rinjtë dhe autoritetet vendore në Shqipëri për të nxitur angazhimin për cilësi më të mirë të ajrit dhe shëndetit
Rreth 70 anëtarë të Këshillave Rinorë dhe të autoriteteve vendore nga bashkitë Elbasan, Shkodër dhe Roskovec morën pjesë aktive në një seminar trajnimi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre.
Objektivi kryesor i seminareve, që u zhvilluan nga 5 deri më 12 mars 2024, ishte edukimi i të rinjve pjesëmarrës për shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit dhe nxitja e tyre për të propozuar masa dhe nisma për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në sesionet e trajnimit pati prezantime nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, pikat fokale të bashkive dhe nga Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI). Akad. asoc. Besnik Bare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një sesion të veçantë, ku theksoi lidhjen kritike midis ndryshimit të klimës, ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik.
Anëtarët e Këshillave Rinor njohën rolin e tyre kyç si avokatë për mbrojtjen e mjedisit brenda territoreve të tyre dhe u angazhuan për të ndarë njohuritë e fituara gjatë seminareve me të rinjtë e tjerë, veçanërisht me ata nga grupet e cenueshme.
Veprimtaritë ishin pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së me titull “Fuqizimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, i cili, në Shqipëri, bashkërendohet nga Prezenca e OSBE-së, me ETMI-n si partner zbatues.