Gjykata Kushtetuese dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantojnë Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, prezantoi Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, më 21 shkurt 2024.
Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, akademikë, profesionistë të së drejtës dhe partnerë ndërkombëtarë morën pjesë në veprimtarinë e organizuar, e cila u hap nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory.
Udhërrëfyesi synon të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për rritjen e aksesit të qytetarëve në Gjykatë dhe për mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Ai do t’i shërbejë stafit gjyqësor për të përmirësuar kapacitetet kërkimore dhe do të ndihmojë Gjykatën Kushtetuese për të standardizuar vendimet. Udhërrëfyesi do t’u shërbejë edhe avokatëve, praktikantëve të së drejtës dhe studiuesve të ligjit për të njohur dhe referuar në mënyrë efektive jurisprudencën e kësaj gjykate.
Prezenca e OSBE-së e mbështeti hartimin e Udhërrëfyesit si pjesë e projektit të saj “Forcimi i shtetit së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri nëpërmjet mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia.
Prezenca do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për të rritur transparencën, aksesin dhe efikasitetin e veprimtarisë së saj si edhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.