Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon vizitë studimore në Sllovaki për zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit
Zyrtarë të mjedisit dhe të zbatimit të ligjit zhvilluan një vizitë studimore në Sllovaki me fokus inspektimin mjedisor dhe hetimin e krimeve mjedisore, më 30 dhe 31 janar 2024. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e përpjekjeve të saj për të rritur kapacitetet kombëtare në adresimin e sfidave të lidhura me qeverisjen dhe sigurinë mjedisore.
Gjatë takimeve me homologët sllovakë, delegacioni prej 11 anëtarësh u njoh me standardet vendase dhe ndërkombëtare për sigurinë mjedisore dhe hetimin e krimit mjedisor në Sllovaki. Ata përfituan edhe nga përvoja dhe praktikat e Njësisë Sllovake të Krimit Mjedisor, struktura e saj policore prej 200 oficerësh të policisë së krimit mjedisor dhe bashkërendimi i tyre ndërinstitucional. Delegacioni u prit nga zyrtarë të Departamentit për Zbulimin e Substancave të Rrezikshme dhe Krimin Mjedisor në policinë sllovake, Prokurorisë, Ministrisë së Mjedisit, autoriteteve doganore, Inspektoratit Shtetëror dhe Ministrisë së Bujqësisë së Sllovakisë.
“Përafrimi i legjislacionit të krimit mjedisor është në një fazë të përparuar në Shqipëri. Megjithatë, zbatimi i tij kërkon një qasje të bashkërenduar strategjike mes institucioneve të ndryshme, ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës të punonjësve dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik”, tha Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani.
Vizita studimore ishte pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Për rritjen e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri", i cili financohet nga Italia, Franca dhe Norvegjia. Vitin e kaluar, Prezenca zhvilloi një kurrikulë të re për legjislacionin mjedisor për Shkollën e Magjistraturës dhe mbështeti një vlerësim të nevojave për trajnime për të gjitha institucionet që merren me sigurinë mjedisore.