Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme në forcimin e kapaciteteve hetuese dhe gjykuese
Më 26 dhe 27 tetor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”. Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.
Trajnimi synoi rritjen në tërësi të kapaciteteve të prokurorëve të SPAK-ut dhe të Gjykatave të Posaçme për të kryer hetime për korrupsionin e nivelit të lartë dhe grupet transnacionale të krimit të organizuar. Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u diskutuan edhe raste studimore.
Në fjalën e tij në hapje të trajnimit, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha: “SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik. Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës anti-korrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e sistemit gjyqësor, me mbështetjen e saj të vijueshme në procesin e zhvillimit profesional. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin e efektshëm të institucioneve të drejtësisë.