Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Byronë Kombëtare të Hetimit për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe për të mësuar nga praktikat më të mira rajonale
Nga 26 deri më 28 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë shkëmbimi eksperiencash, në Rumani, për një delegacion të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me synim vendosjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet BKH-së dhe agjencive rajonale të zbatimit të ligjit.
Delegacioni, i kryesuar nga drejtorja e BKH-së, Aida Veizaj, zhvilloi takime në Drejtorinë rumune për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, Drejtorinë Kombëtare kundër Korrupsionit dhe Qendrën e Evropës Juglindore për Zbatimin e Ligjit.
Drejtorja e BKH-së dhe homologët e saj në Rumani theksuan se bashkëpunimi, shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit dhe hetimet e përbashkëta ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy shteteve janë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, të cilët janë shtrirë përtej kufijve.
Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit në ndërtimin e kapaciteteve dhe konsolidimin efikas të funksionimit të saj.