Shqipëria miraton një Mekanizëm të ri Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit, hartuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së
Më 26 qershor, institucionet shtetërore shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile (OSHC) nënshkruan një Marrëveshje të re Bashkëpunimi për Mekanizmin Kombëtar Referues për Viktimat dhe Viktimat e Mundshme të Trafikimit (MKR), hartuar falë asistencës teknike të Prezencës së OSBE-së në vitet 2022-2023.
Marrëveshja e re, që synon të trajtojë llojet ekzistuese dhe të reja të trafikimit të qenieve njerëzore, përfshin të gjitha institucionet përkatëse për të garantuar mbrojtjen e duhur për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në Shqipëri. Ajo është fryti i një analize të plotë të vlerësimit të nevojave dhe i konsultimeve me palët e interesuara shtetërore dhe të shoqërisë civile, të kryera nga Prezenca dhe Ministria e Brendshme, me qëllim përditësimin e kuadrit të MKR-së në përputhje me sfidat shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore, kuadrin ligjor dhe me angazhimet e OSBE-së.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton theksoi faktin se, “Për herë të parë në Shqipëri, Marrëveshja e MKR-së përfshin bordin këshillimor të viktimave të trafikimit nëpërmjet strehëzave për viktimat e trafikimit, e bën atë edhe më të dallueshëm dhe në përputhje me qasjen e OSBE-së për të pasur viktimat në qendër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.
Pesëmbëdhjetë përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe OSHC-ve e nënshkruan Marrëveshjen e re të Bashkëpunimit për MKR-në. Vlen të theksohet se numri i nënshkruesve është zgjeruar në krahasim me marrëveshjen e mëparshme, duke përfshirë institucione të tilla shtetërore si Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Inspektorati Shtetëror i Punës, Ndihma Juridike Falas, Agjencia Shtetërore e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Shërbimi Shtetëror i Punësimit, si dhe OSHC që ofrojnë ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për viktimat e trafikimit, duke zgjeruar kështu gamën e shërbimeve në dispozicion për të rriturit dhe fëmijët viktima të trafikimit.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë t’i ofrojë mbështetje teknike institucioneve shtetërore në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për MKR-në nëpërmjet ofrimit të udhëzimeve dhe trajnimeve specifike.