Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve forcojnë kapacitetet e zyrtarëve shqiptarë për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë
Nga 12 deri më 16 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një trajnim për 25 punonjës të regjimit të posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Regjimi i posaçëm – i cili filloi të zbatohet në Shqipëri më 2020, mbështetur në modelin italian 41-bis – vendos një sërë kufizimesh mbi të burgosurit, të cilat, nëse zbatohen në mënyrë të papërshtatshme, mund të çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut.
Trajnimi i njohu pjesëmarrësit me konceptet, mjetet dhe aftësitë për të trajtuar të dënuarit me rrezikshmëri të lartë në regjimin e posaçëm. Ai u përqendrua te specializimi i stafit të burgjeve si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në trajtimin e të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Ky trajnim shumë i vlefshëm ka si qëllimi që regjimi i posaçëm të jetë funksional në parandalimin efektiv të rrjeteve të krimit të organizuar brenda sistemit të burgjeve dhe të minimizojë mundësinë e orkestrimit të aktiviteteve kriminale nga prapa hekurave. Ai është pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ruajtur sigurinë publike. Një falënderim i veçantë shkon për Prezencën e OSBE-së, si një ndër mbështetësit kryesorë të përpjekjeve për reformimin e sistemit të burgjeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija.
Në hapje të trajnimit folën dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Drejtues i Lartë Paulin Rajta dhe drejtuesi i Departamentit të Ligjit dhe të të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së, Cailean Maclean. Gjeneral Brigade Mauro D’Amico – ish-Drejtor i Grupit Operativ të Lëvizshëm të Policisë italiane të Burgjeve, me përvojë të gjerë në regjimin 41-bis – dha kontributin e tij të çmuar në trajnim.
Paralelisht, më 15 qershor, Prezenca dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizuan edhe një tryezë konsultative për regjimin e posaçëm dhe sfidat e tij, ku morën pjesë rreth 30 gjyqtarë, prokurorë dhe personel drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e të tjerë.
Më herët gjatë këtij muaji, Prezenca përfundoi hartimin e një kurrikule trajnimi për stafin e regjimit të posaçëm në burgje, i cili do të përfshihet në kurrikulën e formimit profesional të stafit të burgjeve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Këto veprimtari janë vijimësi e mbështetjes së Prezencës për reformën e burgjeve në Shqipëri, përgjatë viteve dhe të përfshirjes aktive të saj në promovimin e të drejtave të njeriut të personave të dënuar dhe të paraburgosur. Së fundmi, në dhjetor 2022, Prezenca organizoi një vizitë studimore të zyrtarëve shqiptarë në mjediset e regjimit 41-bis në Itali.
Përveç regjimit të posaçëm, Prezenca ka kontribuar në arritjet në sistemin penitenciar duke ofruar mbështetje legjislative për paketën ligjore për sistemin penitenciar; duke punuar për Parandalimin dhe Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që çojnë në Terrorizëm në burgje dhe në shërbimin e provës; si edhe duke krijuar programin Master në Kriminologji në Universitetin e Tiranës.
Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë reformën në sistemin penitenciar në Shqipëri.