Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Autoriteti Italian Kundër Korrupsionit përfundojnë trajnimin për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në prokurimet publike
Më 5 dhe 6 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fazën e fundit të trajnimeve të kurrikulës me disa module mbi vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit në fushën e prokurimin publik. Trajnimet – të organizuara në partneritet me Autoritetin Italian Kundër Korrupsionit (ANAC) – u hartuan dhe u zbatuan në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH).
Prej vitit 2021, rreth 50 auditues të KLSH-së morën pjesë ne një sërë sesionesh diskutimi dhe trajnimi. Në morinë e temave të trajtuara ishin identifikimi i rreziqeve të korrupsionit; vlerësimi dhe menaxhimi i riskut në prokurime dhe në kontratat e partneritetit publik-privat; analizat ekonomiko-financiare; monitorimi i kontratave publike e të tjera. Pjesëmarrësit diskutuan raste studimore konkrete të ofruara nga ANAC-u si edhe rekomandime për fuqizimin e mjeteve kundër korrupsionit dhe për rritjen e transparencës.
Trajnimet u dhanë audituesve të KLSH-së mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe praktikat më të mira me ekspertët e lartë të ANAC-ut, si edhe për të forcuar kapacitetet e tyre profesionale në kryerjen e auditimeve sa më cilësore në prokurimet publike.
Trajnimi i fundit dyditor u fokusua te monitorimi i kontratave publike dhe promovimi i mjeteve dixhitale novatore për të përmirësuar auditimin publik. Në fjalën e tyre, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtorja e Përgjithshme e KLSH-së Mariola Llanaj, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik Reida Kashta dhe përfaqësuesit e ANAC-ut Paolo Giacomazzo dhe Filippo Romano theksuan rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në fushën e prokurimeve publike.