Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon vizitë kërkimore në universitetet e Oksfordit dhe të Kembrixhit
Nga 30 maji deri më 2 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Universitetin e Tiranës dhe Fakultetin e Drejtësisë, organizoi një vizitë kërkimore në dy universitete të shquara në Mbretërinë e Bashkuar e në mbarë botën: në Universitetin e Oksfordit dhe në Universitetin e Kembrixhit.
Vizita kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve dhe të burimeve të Fakultetit të Drejtësisë në ofrimin dhe menaxhimin e programit të kriminologjisë, si edhe njohjen me praktikat më të mira për ngritjen dhe punën e qendrave kërkimore universitare.
Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Dorina Hoxha, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ekipi i projektit të OSBE-së “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”. Ata u takuan me profesorë dhe drejtues të dy universiteteve, mes të cilëve me Kryetarin e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Oksfordit, Prof. Federico Varese, Drejtorin e Qendrës së Kriminologjisë të Oksfordit, Prof. Ian Loader dhe Drejtorin e Institutit të Kriminologjisë në Universitetin e Kembrixhit, Prof. Manuel Eisner.
Ky shkëmbim do të kontribuojë edhe në ngritjen e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë, në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, e cila do të mundësojë kapacitetet e qëndrueshme kërkimore në fushën e kriminologjisë, do të ofrojë mbështetje të vijueshme për Programin Master në Kriminologji dhe do të kontribuojë në hartimin e politikave bazuar te të dhënat.
“Qendra Kërkimore e Kriminologjisë do të rrisë kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me të gjitha organet ligjzbatuese. Mbështetja e Institutit të Kriminologjisë të Universitetit të Kembrixhit do të na orientojë jo vetëm në metoda të reja të kërkimit shkencor, por edhe do të krijojë një bazë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha të caktuara të kriminalitetit”, tha Dekania Hoxha. “Përfshirja e studentëve më të mirë pranë kësaj qendre është prioritet për të nxitur kërkuesit e rinj në fushën e kriminologjisë”, shtoi ajo.
Drejtuesja e Projektit të OSBE-së, Alba Jorganxhi, tha: “Universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit njihen në tërë botën për cilësinë e shkëlqyer në kërkim dhe mësimdhënie. Bashkëpunimi që krijuam do të ndihmojë në mbështetjen e një qasjeje shumëdisiplinore në parandalimin e krimit në Shqipëri, veçanërisht duke zhvilluar lidhjet mes drejtësisë penale dhe asaj sociale. Jemi shumë të kënaqur që mundësojmë këtë shkëmbim dhe jemi gati të mbështesim çdo bashkëpunim të ardhshëm mes universiteteve”.
Prezenca e OSBE-së e organizoi vizitën si pjesë e projektit të saj jashtëbuxhetor “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Programi Master, i nisur në dhjetor 2020, ofron një kurrikulum gjithëpërfshirës e të integruar, që mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.