Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal në mbështetje të njësive të qenve policorë në Ballkanin Perëndimor
Më 22-24 shkurt 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, në Korçë, një takim rajonal ekspertësh për përmirësimin e kuadrit rregullator të njësive të qenve policorë. Veprimtaria mblodhi përfaqësues të këtyre njësive nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi, Prishtina, si dhe ekspertë nga Franca dhe nga Mbretëria e Bashkuar.
Takimi rajonal synoi forcimin e bashkëpunimit rajonal, kalimin e dijeve dhe aftësive, si dhe përmirësimin e bashkërendimit mes njësive të qenve policorë, që mbështeten nga projektet e OSBE-së. Ai u organizua si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.
“Rëndësia e kësaj veprimtarie qëndron te mbështetja sipas nevojave për autoritetet e Ballkanit Perëndimor në zhvillimin e tyre profesional, përmirësimin e ekspertizës dhe të aftësive të përgjithshme të Njësive të Qenve Policorë në zbulimin e përdorimit të paautorizuar, transportit dhe trafikimit të AVL-ve, municioneve dhe lëndëve plasëse,” tha Slobodan Boskovic, zyrtar i projektit në Njësinë e Mbështetjes së Forumit për Bashkëpunim të Sigurisë në Sekretariatin e OSBE-së.
Pjesëmarrësit diskutuan për Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të Institutit e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit, hartuar nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së. Dokumenti, i cili përmban udhëzime specifike për kujdestarët e qenve, instruktorët, menaxherët dhe palët e interesuara, mbështetet në praktikat më të mira rajonale dhe standardet ndërkombëtare.
Gjithashtu, pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me kriteret për kapacitetet kombëtare dhe rajonale dhe aftësitë e nevojshme për organizimin e konkurseve, që do zhvillohen nga autoritetet rajonale me mbështetjen e projekteve të OSBE-së. Takimi shërbeu edhe si një platformë rrjetëzimi ndërmjet zyrtarëve publikë dhe ekspertëve të qenve, duke pasur parasysh ngjashmëritë dhe sfidat në të gjitha juridiksionet e Ballkanit Perëndimor.
“Takime të tilla kanë vlerë të madhe, jo vetëm për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe sfida mes homologëve të rajonit, por edhe për të diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme të unifikuara në drejtim të proceseve dhe praktikave më të mira për përmirësimin dhe zhvillimin e njësive të qenve policorë”, tha Petrit Bushati, Shef i Seksionit të Mbarështimit dhe Stërvitjes në Institutin e Trajnimit të Qeneve të Policisë së Shtetit.
Xhenis Ballco, zyrtare vendase e projektit të AVL-ve në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, tha: “Projekti i AVL-ve do të asistojë më tej Institutin e Trajnimit të Qenve të Policisë së Shtetit për të përmirësuar infrastrukturën e objekteve dhe zonave ekzistuese përreth. Gjithashtu, do të ofrojë automjete dhe pajisje të specializuara për transportin e qenve, si dhe do të sigurojë ngritje të vazhdueshme kapacitetesh të akredituara për zyrtarët e Institutit”.
Projekti “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)” financohet nga Bashkimi Evropian, Republika Federale e Gjermanisë dhe Republika e Francës.