Masat ndaj trafikimit të personave nëpërmjet teknologjisë, në qendër të takimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Ekspertë shqiptarë e të huaj u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar masat ndaj keqpërdorimit të teknologjisë nga trafikantët e qenieve njerëzorë ne Shqipëri. Tryeza u organizua nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të OSBE-së.
Pjesëmarrësit nga agjencitë ligjzbatuese, prokuroritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile folën për ndryshimet në legjislacionin vendas, përfshirë Mekanizmin Kombëtar të Referimit, në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore të mundësuar përmes teknologjisë. Ata u ndalën veçanërisht te përmirësimet që mund të bëhen për të siguruar që platformat online të mos lehtësojnë veprimet e paligjshme të lidhura me trafikimin e personave, si dhe për të përshpejtuar komunikimin mes agjencive ligjzbatuese dhe kompanive teknologjike.
Duke hapur takimin, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha: “Ju e dini nga raporte të shumta, përfshirë edhe kërkimet e vetë OSBE-së, se si teknologjitë moderne të komunikimit, si interneti, mediat sociale dhe aplikacionet, kanë ndryshuar vërtet mënyrën se si grupet e krimit të organizuar merren me trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikimin e migrantëve”. “Sot do të diskutoni jo vetëm për aspektet negative të teknologjisë moderne, por edhe për anët pozitive dhe mundësitë që ofron ajo. Do të njiheni me praktikat dhe efektet më të mira nga Shqipëria dhe vende të tjera të përdorimit të teknologjisë për të hetuar sa më mirë trafikimin e personave dhe për të identifikuar viktimat e trafikimit. Këto janë dy fusha ku Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është shumë e përkushtuar”, shtoi ajo.
Në hapje të takimit folën edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Sandër Simoni, Shefi i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit Hergis Jica dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike Igli Tafa.
Veprimtaria ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës së OSBE-së për rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe shoqërisë civile në Shqipëri kundër trafikimit të qenieve njerëzore.