Kërcënimet kibernetike, në fokus të sesioneve informuese të Prezencës së OSBE-së me shkollat në Shqipëri
Në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, nga 19 tetori deri më 2 nëntor 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u takua me fëmijë, prindër, mësues, psikologë dhe punonjës socialë në shkolla për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit për kërcënimet kibernetike. Sesionet informuese, të zhvilluara në Korçë, Pogradec, Shkodër Malësi e Madhe, Rrëshen dhe Lezhë, synuan, gjithashtu, t’i ndihmonin të rinjtë të mbrohen online, ndërkohë që kërcënimet ndaj teknologjisë dhe të dhënave konfidenciale bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Prezenca i organizoi këto veprimtari në partneritet me Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK).
Temat e diskutuara me 360 pjesëmarrës u përqendruan te kërcënimet me të cilat përballen qytetarët në internet, si bullizmi, përpjekja për të vjedhur të dhënave personale (phishing), joshja e të miturve, gjuha e urrejtjes, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi mes të rinjve, si edhe te mjetet e identifikimit të hershëm dhe të parandalimit të këtyre kërcënimeve. Në fokus u vendosën edhe rolet dhe përgjegjësitë e mësuesve, prindërve dhe të psikologëve të shkollave.
Një nga pjesëmarrësit, Kledisa, 15 vjeç, nga Korça, u shpreh: “Falë këtij sesioni informues, fillova të mendoj dhe të kuptoj më mirë rëndësinë e të qenit të kujdesshëm dhe të të menduarit kritik kur lundrojmë në internet. Gjuha e dhunshme përmes internetit është me rrezik për miqtë tanë dhe shoqërinë – ne kemi qenë dëshmitarë të rasteve të tilla në mesin e shokëve tanë”.
Mësuesit thanë se metodologjia ishte shumë interesante dhe e dobishme për punën e tyre me të rinjtë në të ardhmen, ndërsa prindërit vlerësuan informacionet për kontrollin prindëror dhe për përmirësimin e komunikimit me fëmijët për veprimtaritë e tyre në internet, pa i gjykuar ata.
Në prill të vitit 2022, Prezenca e OSBE-së mbështeti AKCESK-un në organizimin e një kampi rajonal kibernetik me të rinj dhe profesionistë nga Ballkani Perëndimor. Veprimtaria kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti, ku të rinjtë, institucionet dhe aktorët e tjerë mund të shkëmbejnë përvojat dhe praktikat më të mira.
Prezenca do të vijojë të punojë me AKCESK-un, Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për të shtuar njohuritë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet kibernetike te fëmijët, të rinjtë, prindërit, punonjësit e shkollave dhe grupe të tjera.