Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ-ja nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e kapaciteteve të administratës zgjedhore, intensifikimin e bashkëpunimit
Më 17 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth intensifikimit të bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve të KQZ-së me synim kryerjen e veprimtarisë së saj në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe standardet më të mira ndërkombëtare.
“Kjo marrëveshje simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe të vazhdueshëm mes Prezencës së OSBE-së dhe KQZ-së. KQZ-ja ka qenë prej vitesh një nga partnerët kryesorë dhe më të besuar të Prezencës dhe për këtë arsye mbështetja ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë ndër përparësitë tona gjatë gjithë mandatit tim. Tri shkronjat e shkurtimit të KQZ-së duhet të lexohen ndryshe si Qëndrueshmëri, Efikasitet dhe Besueshmëri [në anglisht CEC: Consistency, Efficiency and Credibility]”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në fjalën e mbajtur në këtë veprimtari. Ai shtoi se një administratë zgjedhore e paanshme, e mirëpërgatitur dhe e mirëpajisur është thelbësore për integritetin e proceseve zgjedhore. “Në këtë kontekst, Prezenca është e gatshme që ta ndihmojë KQZ-në për përballimin e sfidave të lidhura me përgatitjen dhe menaxhimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm”, tha ai.
Në kuadër të reformës zgjedhore, Del Monaco theksoi se Prezenca e vlerëson rifillimin e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe e nxiti atë të adresojë rekomandimet ende të patrajtuara të OSBE/ODIHR-it përmes një procesi të konsultuar gjerësisht. Ai tha se nga pikëpamja teknike dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, koha po shkurtohet gjithnjë e më shumë që ndryshimet thelbësore ligjore të zbatohen në zgjedhjet e ardhshme.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe e falënderoi ambasadorin Del Monaco për angazhimin e tij dhe vijueshmërinë e mbështetjes ndaj KQZ. “Jemi në fazë të rëndësishme të marrëdhënieve institucionale mes KQZ-së dhe OSBE-së dhe ky memorandum është konfirmimi i bashkëpunimit që KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së kanë pasur deri tani. Besoj se do të kemi këtë nivel bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kemi akoma shumë për të bërë, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore janë shumë afër ndaj mbështetja e OSBE-së si një nga partnerët tanë të rëndësishëm do të ketë rolin e vet në miradministrimin e procesit zgjedhore”, tha Komisioneri Celibashi.
Marrëveshja e nënshkruar sot përbën një themel të fortë për të ecur përpara me veprime dhe ndërhyrje të prekshme në një sërë fushash kyçe. Këto përfshijnë mbështetjen për KQZ-në për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ato që rrjedhin nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë; fuqizimin e kapaciteteve të saj profesionale për administrimin e zgjedhjeve, duke përfshirë aftësitë e trajnimit dhe të kontakteve informuese me votues; si edhe bashkimin e forcave për një bashkërendim më të mirë të asistencës ndërkombëtare për çështjet zgjedhore.
Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ofruar mbështetje të vazhdueshme autoriteteve shqiptare, përgjatë viteve, me qëllim realizimin e proceseve të reformës zgjedhore në mënyrë të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohë, si dhe ofrimin e asistencës teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve.