Prezenca e OSBE-së dhe partnerët diskutojnë arritjet dhe planet e ardhshme të projektit për armët e vogla dhe të lehta
Komiteti ekzekutiv i projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” zhvilloi takimin e dytë, në Tiranë, më 14 tetor 2022. Projekti zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
Në takim, anëtarët e Njësisë Mbështetëse të Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë nga Sekretariati i OSBE-së, përfaqësues të donatorëve, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera partnere diskutuan arritjet e projektit dhe planet e ardhshme.
Duke hapur takimin, Kryetari i Prezencës, Vincenzo Del Monaco, tha: “Puna e vërtetë fillon nga gatishmëria dhe përkushtimi konkret i autoriteteve qeveritare për të ndërtuar shoqëri të paqta. Unë e vlerësoj si përkushtimin, ashtu edhe gatishmërinë e autoriteteve shqiptare. Roli ynë si OSBE ka qenë dhe vijon të jetë ta bëjmë sa më mirë detyrën për ta çuar këtë vullnet pozitiv përpara, duke zgjedhur rrugën e duhur. Dhe rrugën e kemi zgjedhur së bashku”.
Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri janë dhe mbeten përparësi strategjike për qeverinë e Shqipërisë. “Mbështetja e partnerëve tanë është tejet e çmuar në përshpejtimin e ritmit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë me qëllim anëtarësimin në familjen e madhe evropiane në një kohë sa më të shpejtë”, shtoi ai.