Sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe propaganda në fokus të Forumit VIII vjetor për Zhvillimin e Medias, organizuar nga Prezenca e OSBE-së Shqipëri
Më 11 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi Forumin VIII vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me lirinë dhe zhvillimin e medias në vend, sigurinë e gazetarëve dhe sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe propaganda, me të cilat ballafaqohen media dhe gazetarët në Shqipëri.
Gjatë fjalës së hapjes, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi angazhimin e Prezencës për çështjen e lirisë së medias në vend. Ai tha se Prezenca i ka ndjekur me vëmendje deklaratat e lëshuara së fundmi prej sistemit të drejtësisë për ndalimin e mediave që të botojnë informacionet si rezultat i rrjedhjeve që pasuan sulmet kibernetike të verës. “I nxisim autoritetet dhe mediat që të tregohen të ekuilibruar dhe të matur, si dhe të vlerësojnë me kujdes të drejtën e publikut për informim, konfidencialitetin, sigurinë dhe privatësinë”, tha ai.
Në hapje të takimit folën edhe Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Alexis Hupin nga Delegacioni i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri dhe Olsi Dekovi, Zv. Kryetari Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.
Sesioni i parë i Forumit iu kushtua sfidave kryesore të lirisë dhe të zhvillimit të medias me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit të fundit. Në sesionin e dytë, diskutimet u përqendruan te rëndësia e gazetarisë hulumtuese, dezinformimit dhe verifikimit të fakteve si një mjet në luftën kundër korrupsionit dhe për promovimin e gazetarisë profesionale.
Forumi gjithashtu përshëndeti kurrikulën e rishikuar rishtazi të programit Bachelor që do të vihet në zbatim në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës që nga ky vit akademik. Kurrikula është një prej rezultateve të projektit “Media në Fokus – Forcimi i Transmetuesit Publik dhe Shkollës së Gazetarisë në Shqipëri”, i cili u zbatua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të BE-së.