Prezenca e OSBE-së prezanton projektin për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, prezantoi sot një projekt trevjeçar, i cili synon të ndihmojë autoritetet kombëtare në uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të shpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. Projekti është pjesë e një projekti rajonal, i cili bashkërendohet nga Qendra e OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve dhe zbatohet nga misionet e OSBE-së në Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës.
Bazuar në fushat me përparësi të identifikuara nga Ministria e Brendshme dhe nga Policia e Shtetit, projekti do të mbështetë përshtatjen e kornizës ligjore për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kapaciteteve të Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me rreziqet e shpërdorimit dhe përhapjes të armëve të vogla e të lehta.
“Fakti që sot jemi të gjithë këtu flet për ndërgjegjësimin tonë të përbashkët për kërcënimet dhe sfidat që kemi përpara. Po flasim për një kërcënim që përshkon nga terrorizmi te krimi i organizuar ndërkombëtar. Një kërcënim që minon besimin e komunitetit dhe kohezionin social duke nxitur dhunën e bandave dhe krimin e dhunshëm, të cilat janë edhe më të dëmshme për besimin aq të nevojshëm të të rinjve dhe të brezave të rinj tek institucionet dhe komunitetet e tyre”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, në hapje të veprimtarisë.
“Besoj fort që zbatimi i këtij projekti mes Ministrisë së Brendshme dhe Prezencës së OSCE në Shqipëri do të arrijë të përmbushë objektivat e dakordësuara bashkërisht, për t’u ndjekur nga gurë të tjerë kilometrikë bashkëpunimi në të ardhmen, në fushën e sigurisë dhe më gjerë,” tha zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, tha se Shqipëria mbetet patundshmërisht e përkushtuar për të përmbushur angazhimin e saj për zbatimin e standardeve ndërkombëtare lidhur me luftën kundër armëve të vogla e të lehta dhe municioneve. “Ne e mirëpresim mbështetjen e OSBE-së në zbatimin e këtij projekti dhe jemi të bindur që do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në këtë drejtim”, shtoi ajo.
Në veprimtari, folën edhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Jonas Paul, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, si edhe Slobodan Boskovic, oficer projekti në Njësinë Mbështetëse të Forumit të OSBE-së për Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë.
Projekti kontribuon në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përmbushjen e qëllimeve kryesore të Udhërrëfyesit për Armët e Vogla e të Lehta dhe Municionet dhe për të krijuar një zgjidhje të qëndrueshme ndaj armëmbajtjes së paligjshme, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse.
Përmes këtij projekti, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri kontribuon, gjithashtu, në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, uljen e përhapjes së paligjshme të armëve, dhe forcimin e institucioneve kombëtare për parandalimin e dhunës dhe luftës kundër terrorizmit dhe krimit.