Prezenca e OSBE-së zhvillon takimin “Të rinjtë flasin” mbi zhdukjet me forcë gjatë regjimin komunist në Shqipëri dhe rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore
Rreth 80 studentë të Universitetit të Korçës morën pjesë në një takim “Të rinjtë flasin”, të fokusuar në çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, më 26 maj 2022.
Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe nga Grupi Këshillimor Rinor i saj – kishte për qëllim rritjen e përfshirjes së të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore në rrugën drejt pajtimit me të kaluarën, konsolidimit demokratik dhe ndërtimit të paqes.
Pas shfaqjes së një dokumentari për personat e zhdukur, studiues të kontraktuar nga Prezenca i njohën studentët me gjetjet e tyre në këtë fushë, me fokus të veçantë te gratë e zhdukura, aspektet ligjore dhe sociologjike të persekutimit politik dhe standardet ndërkombëtare.
Grupi Këshillues Rinor foli për rolin e të rinjve në proceset e drejtësisë tranzitore dhe drejtoi diskutimet me studentët.
Gjatë takimit, u diskutua në detaje shkeljet e rënda sistematike të të drejtave të njeriut gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, që çuan në mbi 6 000 persona të zhdukur. Të rinjtë mësuan se si qytetarët burgoseshin apo ekzekutoheshin pa një proces gjyqësor, se si një numër personash të burgosur humbën jetën për shkak të rraskapitjes, kequshqyerjes dhe sëmundjeve, e se si shumë fëmijë të lindur në kampet e punës së detyruar nuk u regjistruan kurrë dhe nuk mundën të mbijetonin në ato vende. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në historitë e viktimave që humbën jetën në përpjekje për t'i shpëtuar regjimit duke u larguar nga vendi dhe që u ekzekutuan në pikat e kalimeve kufitare; të burgosurit që u ekzekutuan gjatë përpjekjes për të ikur nga vendet e paraburgimit; dhe individët e zhdukur gjatë shërbimit ushtarak.
“Kërkimi dhe gjetja e personave të zhdukur është detyrim i një shteti sipas kuadrit ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Që nga fillimet e konsolidimit të saj demokratik në vitet ‘90, Shqipëria ka bërë përpjekje të vijueshme për t'u marrë me të kaluarën e saj dhe fatin e të zhdukurve. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë,” tha Cailean Maclean, Shef i Departamentit të Prezencës për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut.
Ky ishte forumi i dytë rinor për çështjen e personave të zhdukur që Prezenca organizoi këtë vit. I pari u zhvillua me studentë të Universitetit të Tiranës, në muajin shkurt. Prezenca njeh rolin e brezave të rinj në formësimin e së ardhmes demokratike të vendit dhe punon për t'i bashkuar ata për të eksploruar çështjen e personave të zhdukur, rolin e të rinjve në drejtësinë tranzitore dhe në implikimet që ajo ka në diskursin publik mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe axhendën për Rininë, Paqen dhe Sigurinë në vend.
Veprimtaria është pjesë e projektit të Prezencës “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri” dhe i projektit “Të rinjtë në fokus II”, që financohet nga Agjencia Austriake e Zhvillimit, Ambasada Greke në Tiranë dhe Misioni i Përhershëm i Italisë në OSBE.