Pabarazitë gjinore dhe korrupsioni, në fokus të konferencës të nivelit të lartë të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Një konferencë e nivelit të lartë për rritjen e ndërgjegjësimit rreth pabarazive gjinore dhe korrupsionit u zhvillua, më 10 dhjetor, në Tiranë dhe Online. Kjo veprimtari e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli Javën e Integritetit në Shqipëri, e cila kishte për synim rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë e shumta që ofron qasja gjinore në luftën kundër korrupsionit për rritjen socio-ekonomike, forcimin e sigurisë dhe konsolidimin e demokracisë.
Në këtë veprimtari morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Maria Schmid, Kryetari i Prezencës Vincenzo Del Monaco, si dhe ambasadorja Melanne Verveer, Drejtore Ekzekutive e Institutit Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Korrupsioni ka ndikime gjinore dhe pengon fuqizimin ekonomik të grave. Kemi nevojë për më shumë mbështetje për programe kundër korrupsionit me këndvështrim gjinor. OSBE-ja ka mandatin dhe kapacitetin për të sjellë ndryshim. Faleminderit Prezenca e OSBE-së në Shqipëri që organizuat këtë veprimtari”, tha Sekretarja e Përgjithshme Schmid në një lidhje online, në hapje të konferencës.
“Qasja gjithëpërfshirëse e OSBE-së ndaj sigurisë i përshkon të tria dimensionet, përfshirë dimensionet ekonomike dhe njerëzore, të cilat mbështesin pjesëmarrjen dhe mbrojtjen e njëmendtë të grave në arenën politike, në të drejtat e njeriut dhe në çlirimin nga dhuna. Unë besoj se ky botëkuptim gjithëpërfshirës i sigurisë është ndër pikat më të forta të OSBE-së”, tha ambasadorja Verveer.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, njoftoi se në muajt e ardhshëm ministria do të fillojë një proces gjithëpërfshirës për të përgatitur strategjinë e re anti-korrupsion me një qasje kushtuar rritjes së përfshirjes së grave dhe vajzave në të gjitha dimensionet e luftës kundër korrupsionit. “Së fundmi, morëm me kënaqësi një studim të OSBE-së, që vërteton fjalët tona se është e nevojshme t’i kushtojmë vëmendje të posaçme qasjes gjinore ndaj korrupsionit”, tha ajo.
Ambasadorët e Suedisë dhe të Vendeve të Ulëta në Shqipëri Elsa Håstad dhe Reinout Vos, zëvendëspresidentja e “Luiss University” Prof. Paola Severino dhe kryetarja e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri Bilgen Aldan merrnin pjesë gjithashtu në këtë veprimtari. Paneli i parë teknik i konferencës u përqendrua te ndikimi që ka barazia gjinore në tërë zhvillimin shoqëror. Ai e vendosi rëndësinë e përfshirjes për zhvillim të qëndrueshëm në kontekst ndërkombëtar.
Në panelin e dytë, u dhanë gjetjet e një kërkimi paraprak në Shqipëri në fushën e pabarazisë gjinore dhe korrupsionit, me fokus të veçantë te shëndetësia dhe arsimi i nivelit të tretë. Dy panelet teknike u drejtuan nga ambasadorja Verveer dhe Përfaqësuesja e Posaçme e Kryetares së Radhës të OSBE-së për Luftën kundër Korrupsionit, Prof. Anita Ramasastry. Konferenca u moderua nga zëvendëskryetarja e Prezencës, Clarisse Pasztory.
Konferenca u zhvillua në Javën e Integritetit, e cila u organizua nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Shqipëri, me mbështetjen e ambasadës holandeze dhe me partnerë të tjerë, përfshirë Prezencën e OSBE-së.