Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbledh institucionet e të drejtave të njeriut nga Ballkani Perëndimor
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, më 9 dhjetor 2021, një tryezë rajonale për institucionet e pavarura të barazisë dhe të të drejtave të njeriut. Përfaqësues nga Ballkani Perëndimor diskutuan, në një takim me prani fizike dhe online, për rolin dhe ndërveprimin mes tyre lidhur me proceset gjyqësore.
Tryeza u dha pjesëmarrësve mundësinë të shkëmbenin përvojën dhe praktiket e mira, si edhe të forconin bashkëpunimin rajonal mes tyre. Po ashtu, ajo shërbeu për rritjen e ndërgjegjësimit për detyrimet që kanë qeveritë për mbrojtjen nga diskriminimi dhe promovimin e punës së institucioneve të të drejtave të njeriut.
“Institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut janë sinapse të domosdoshme për të garantuar zbatimin efektiv të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në nivel kombëtar, për të qenë një urë lidhëse midis qytetarëve dhe shtetit, për të mbrojtur njerëzit në nevojë, dhe për të kërkuar që qeveritë të përmbushin detyrimet ndaj të drejtave të njeriut. Me pak fjalë, këto institucione ripohojnë universalitetin e të drejtave të njeriut dhe i çojnë ato përpara me punën e tyre të përditshme”, tha ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të takimit.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha: “Ne duhet të jemi histori suksesi, sepse mungesa e suksesit tonë është dëmtues për vetë autoritetin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona dhe për vetë kauzën e të drejtave të njeriut në përgjithësi”.
“Takimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për të njohur kompetencat e njëri-tjetrit, për të parë se cilat kompetenca kemi konsoliduar dhe se si të zbatojmë kompetenca të reja në realitetet tona”, tha Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
Prezenca e OSBE-së i ka mbështetur institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut në Shqipëri që prej krijimit të tyre dhe, kohët e fundit, ndihmoi në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes tyre.