Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon punonjësit e burgjeve për një trajtim në përputhje me të drejtat e njeriut të të dënuarve në Regjimin e Posaçëm
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri filloi një trajnim të veçantë për punonjësit e burgjeve, gjatë të cilit pesëdhjetë syresh do të trajnohen për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve në Regjimin e Posaçëm në përputhje me të drejtat dhe liritë e njeriut. Seminari do të zhvillohet në datat 30 nëntor deri më 3 dhjetor në Tiranë.
Trajnimi organizohet nga Prezenca, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatin e Popullit. Marrin pjesë në të dy grupe punonjësish, me nga dy ditë trajnim secili. Trajnimi është hartuar në bazë të një raporti për Regjimin e Posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë, i pari i këtij lloji në Shqipëri, përgatitur nga Prezenca e OSBE-së, vitin e shkuar. Trajnimi drejtohet nga Gjeneral Brigade Mauro D’Amico, me përvojë të gjatë në zbatimin e regjimit 41-bis në Itali, aktualisht Drejtues i Grupit të Gatshëm Operativ (Gruppo Operativo Mobile) të Policisë Penitenciare në Ministrinë e Drejtësisë të Italisë.
“Dëshiroj ta vlerësoj natyrën konkrete të këtij trajnimi duke e vënë atë në dukje, sepse kështu shmanget një trajtim thjesht teorik i temës, duke u zhytur në realitetin praktik. Kjo është në përputhje me mandatin tonë: t’i ofrojmë mbështetje vendit pritës për nevojat e tij të dalluara qartë,” tha Kryetari i Prezencës, Ambasador Vincenzo Del Monaco në fjalën e mbajtur në hapje të trajnimit. “Parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit duhet të merren parasysh gjatë gjetjes së zgjidhjeve konkrete që garantojnë sigurinë e burgjeve duke respektuar të drejtat e njeriut të të burgosurve. Puna në burg është e vështirë dhe marr shkas këtu për të lavdëruar punën e madhe që personeli i burgjeve kryejnë çdo ditë. Ata meritojnë gjithë respektin tonë. Siguria dhe mbrojtja e personelit të burgut dhe e vetë punonjësve të policisë është po aq e rëndësishme.
Merrnin pjesë në ceremoninë hapëse të trajnimit edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca. Edhe ata iu drejtuan pjesëmarrësve duke theksuar rëndësinë e trajnimit dhe nevojën për balancën mes sigurisë në burgje dhe respektimit të të drejtave të njeriut të të burgosurve.
Regjimi i posaçëm i burgut sapo është futur në sistemin shqiptar të burgjeve në bazë të modelit përkatës italian. Regjimi i posaçëm i burgut i shton mjaft kufizimet mbi të dënuarit dhe nëse vihet në zbatim pa kujdesin dhe vëmendjen e duhur mund të sjellë cenimin e të drejtave të njeriut. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka mbështetur më herët Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vënien në zbatim të Regjimit të Posaçëm. Përgjatë viteve, Prezenca është përfshirë aktivisht për promovimin e të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve, duke dhënë kontributin e saj për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të burgjeve në vend. Prezenca po ashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në themelimin e Shërbimit të Provës, si një alternative ndaj dënimeve me heqje lirie për të lehtësuar mbingarkesën e burgjeve. Prezenca e ka mbështetur këtë Shërbim qysh prej hapave të tij të parë.