Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon seminar me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përfundoi më 29 tetor një trajnim dy-ditor të organizuar prej saj rreth standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira për gjykimin e veprave penale të korrupsionit.
Trajnimi u hartua me synim trajtimin e çështjeve me interes për gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin edhe përfituesit kryesorë të këtij aktiviteti. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e temave të trajtuara dhe zbatimin e gjerë e shumëpërmasor të tyre, në trajnim morën pjesë edhe gjyqtarë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin Organizuar, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, si dhe prokurorë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjatë kursit të trajnimit u trajtuan tema të tilla si Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit (CAC), Konventa Penale kundër Korrupsionit dhe Protokollet Shtesë të Këshillit të Evropës, standardet e Komitetit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) dhe ato kundër pastrimit të parave (AML), Standardet Evropiane për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe praktikat më të mira të gjykatave të huaja për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Veç kësaj, gjatë trajnimit iu kushtua vëmendje sfidave të pashoqe që sjell administrimi i drejtësisë për gjyqtarët në rolin e tyre si gjyqtarë të specializuar kundër korrupsionit.
Prezenca e OSBE-së është një partner afatgjatë i sistemit gjyqësor të vendit, duke iu ofruar gjykatave mbështetje të vazhdueshme në procesin e rritjes dhe zhvillimit të tyre profesional. Ky trajnim bën pjesë në angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës në mbështetje të gjyqësorit për një luftë sa më efikase kundër korrupsionit.