Prezenca e OSBE-së organizon një kurs trajnimi të avancuar rreth analizës së krimit për Policinë e Shtetit
Në datat 5-8 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në Durrës një kurs trajnimi të avancuar rreth analizës së krimit. Duke qenë vazhdimi i kursit të trajnimit të zhvilluar vitin e kaluar për Policinë e Shtetit rreth koncepteve dhe teknikave të analizës së krimit, ky kurs ishte konceptuar në përputhje me nevojat e Njësitë e Analizës Kriminale të Policisë së Shtetit dhe të Njësisë Shqiptare të Inteligjencës Financiare.
Katërmbëdhjetë zyrtarë nga Njësitë e Analizës Kriminale dhe nga Njësia Shqiptare e Inteligjencës Financiare morën pjesë në trajnimin e drejtuar prej një eksperti kanadez me shumë përvojë në këtë fushë. Trajnimi kishte për synim aftësimin e pjesëmarrësve për të përvetësuar konceptet dhe qasjet e reja analitike globale në analizën e krimit, të cilat nëse vihen në zbatim me sukses do të garantojnë hartimin e produkteve analitike të cilësisë së lartë.
Në këtë mënyrë, do të fuqizohen edhe më tej kapacitetet e gjithmbarshme të organeve ligjzbatuese shqiptare për të raportuar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe krimet e rënda në përgjithësi, si dhe krimet financiare në veçanti. Po ashtu, do të garantohet vënia e shpejtë në zbatim e modelit të Policimit me Bazë Inteligjencën (PBI), veçanërisht në hartimin e produkteve analitike me rëndësi strategjike, sikurse raportet e vlerësimit të rrezikut të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Nevoja për më shumë trajnime në këtë fushë u shpreh disa herë prej drejtuesve të policisë në takimet e mbajtura me zyrtarët e Prezencës që nga viti i kaluar e tutje. Veç kësaj, çështjet e trajtuara në trajnimin e lartpërmendur janë në përputhje me objektivat dhe angazhimet e përfshira në Strategjinë e Qeverisë Shqiptare kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025, si dhe në Planin e Veprimit 2021-2022. Mbështetja e Policisë së Shtetit shqiptar në konceptimin dhe realizimin e programeve të trajnimit që kanë për synim dhënien e njohurive dhe aftësimin për kryerjen e analizave operative dhe strategjike të inteligjencës së krimit konsiderohet si një prej përparësive të Prezencës në periudhën afatgjatë.