Kurs i përbashkët trajnimi OSBE-UNODC për luftën kundër financimit të terrorizmit: Shqipëria shqyrton instrumentet për shkatërrimin e financave të rrjeteve terroriste
Më 11 shtator 2021, u përmbyll në Pogradec një kurs katërditor për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Shqipërisë për luftën kundër financimit të terrorizmit. Kursi u organizua nga Departamenti i OSBE-së kundër Kërcënimeve Tejkombëtare, me mbështetje të Zyrës së OKB-së kundër Drogës dhe Krimit (UNODC) dhe të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në të u trajtuan instrumentet dhe teknikat e ndryshme për vlerësimin dhe shkatërrimin e veprimtarisë terroriste, me pjesëmarrjen e njëzet e një përfaqësuesve, shtatë prej të cilëve gra, nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit.
Kursi u udhëhoq prej ekspertëve ndërkombëtarë dhe pesë trajnuesve vendas. Më shumë se gjysma e përmbajtjes iu kushtua punës praktike. Ekipet ndër-institucionale shqyrtuan “modelin e punës” të rrjeteve terroriste dhe mësuan si të zbatojnë teknikat e ndryshme, përfshirë auditimin dhe analizën e pikave të dobëta, për shkatërrimin e financimit të terrorizmit.
Ky kurs, i mundësuar falë mbështetjes financiare të Shteteve të Bashkuara, bën pjesë në një programi trajnimi shumëvjeçar për luftën kundër financimit të terrorizmit, i cili zbatohet bashkërisht nga OSBE dhe UNODC që prej vitit 2018.
Programi i trajnimit është hartuar me synimin për ta mbështetur Shqipërinë në zbatimin e standardeve ndërkombëtare e veçanërisht të Rezolutave të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, të tilla si Rezoluta 2462 (2019), standardet e Task Forcës për Veprimin Financiar kundër Pastrimit të Parave (FATF) dhe angazhimet e OSBE-së.