Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon kompanitë e biznesit për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve
Nga 24 qershor deri më 2 korrik 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim online për bizneset lidhur me sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Kursi theksoi sinjalizimin si një mekanizëm i rëndësishëm në ruajtjen e integritetit dhe kontrollin e korrupsionit. Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Në trajnim morën pjesë rreth 150 kompani nga sektorë të ndryshëm si ndërtimi, prodhimi, telekomunikacioni dhe shërbimet, të cilat kanë njësi përgjegjëse për menaxhimin e praktikave të sinjalizimit, sipas legjislacionit në fuqi, i cili është i detyrueshëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Trajnimi synoi të rritë ndërgjegjësimin dhe njohuritë për rolin e sinjalizuesve, të zhvillojë kapacitetet, si edhe t’i udhëzojë personat përgjegjës mbi hartimin e rregulloreve të brendshme se si të mbrojnë të drejtat e sinjalizuesve. Po ashtu, gjatë trajnimit, u dha informacion praktik për mekanizmat ekzistues të brendshëm e të jashtëm të raportimit, për mënyrat e parandalimit dhe mbrojtjen e sinjalizuese nga hakmarrja, si dhe u promovuan praktikat më të mira ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth formave të ndryshme të sinjalizimit dhe eksploruan konceptin e korrupsionit dhe të mashtrimit, të marrëveshjeve të fshehta dhe të formave të tjera të korrupsionit, që prekin sektorin e biznesit.
Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur ILDKPKI-në dhe sektorin e biznesit, në këtë fushë, që prej vitit 2018. Treqind e pesëdhjetë kompani private janë trajnuar për sinjalizimin, gjatë kësaj kohe.