Konferenca e OSBE-së për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri nis, nesër, në Tiranë
TIRANË, 16 qershor 2021 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe e Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore organizojnë një konferencë për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri, më 17 qershor 2021, në Tiranë dhe online.
Konferenca do të fokusohet te promovimi i rëndësisë së partneriteteve dhe të qasjes shuminstitucionale për të fuqizuar bashkërendimin në trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin e OSBE-së dhe në Shqipëri.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë për rëndësinë e forcimit të një qasjeje të mbështetur te të drejtat e njeriut dhe te viktimat, në të gjitha veprimet kundër trafikimit. Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, të parlamentit, gjyqësorit, institucioneve ligjzbatuese, bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të botës akademike.
Konferenca do të hapet nga folësit e mëposhtëm:
- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco;
- Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Romina Kuko
- Ambasadorja suedeze kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Anna Ekstedt;
- Përfaqësuesi i Posaçëm dhe Koordinatori i OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Valiant Richey;
- Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim;
- Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Mediat ftohen të marrin pjesë në hapjen e konferencës, më 17 qershor, në orën 9:30, në hotelin “Rogner”, salla “Antigonea”. Konferenca do të transmetohet edhe drejtpërdrejt në faqen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në Facebook.