Prezenca e OSBE-së organizoi një seminar rreth proceseve të lustracionit në Shqipëri
Më 22 Shkurt 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar online për të diskutuar politikat dhe proceset e lustracionit në vend që nga rënia e regjimit diktatorial 30 vjet më parë. Veprimtaria me titullin “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, e zhvilluar si pjesë e veprës së Prezencës në fushën e drejtësisë transitore, mblodhi bashkë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë, si dhe pedagogë dhe studentë të Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve private.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth gjetjeve të studimit me të njëjtin emër, i cili u porosit nga Prezenca për të trajtuar proceset e lustracionit në Shqipëri që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 deri më sot. Prezenca e mbështeti studimin duke synuar pasurimin e literaturës në fushën e drejtësisë transitore dhe nxitjen e debatit shkencor në lidhje me të.
Seminari u zhvillua në kuadrin e Ditëve të Kujtesës, një veprimtari e përvitshme rreth përballjes me të kaluarën komuniste e organizuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer.
Duke folur në hapjen e Ditëve të Kujtesës, më 19 Shkurt 2021, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha: “E kaluara mund të kuptohet përmes një dialogu racional, të matur dhe të gjithëpranuar, përfshirë edhe përmes hulumtimeve të hollësishme rreth asaj kohe, në mënyrë që mësimet e nxjerra të integrohen në shoqërinë e tanishme, për të mos rënë në grackën e harrimit të së kaluarës”.
Që nga viti 2015, Prezenca e OSBE-së ka mbështetur zhvillimin e dialogut kombëtar në vend në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist. Arritjet më të fundit të punës së Prezencës në këtë fushë përfshijnë themelimin e Programit Akademik të Masterit për Drejtësinë Transitore në Universitetin e Tiranës dhe ngritjen e Qendrës për Drejtësi dhe Transformim në të njëjtin universitet.
Videoja e plotë e seminarit online gjendet në faqen zyrtare të Prezencës së OSBE-së në Facebook duke klikuar linkun e mëposhtëm: http://bit.ly/Lustration_Albania
Burime të bashkëlidhura:
https://www.osce.org/presence-in-albania/479029
https://www.osce.org/presence-in-albania/472056
https://www.osce.org/presence-in-albania/445090
https://www.osce.org/albania/286821
https://www.osce.org/albania/162096