Prezenca e OSBE-së trajnon policinë shqiptare, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe me mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, po organizon një sërë trajnimesh për rreth 6 000 oficerë policie në mbarë Shqipërinë. Trajnimet, të cilat filluan më 26 janar 2021 dhe do të vijojnë deri në mesin e muajit mars, trajnojnë rolin e policisë në procesin zgjedhor dhe organizohen në prag të zgjedhjeve kuvendore të 25 prillit.
Duke hapur trajnimet, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, tha: “Si kryetar i ri i Prezencës së OSBE-së, kam kënaqësinë të theksoj më tej mbështetjen e vijueshme që Prezenca e OSBE-së u ofron institucioneve shqiptare në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, në përputhje me praktikat e njohura ndërkombëtare, që reflektojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha: “Falënderoj Prezencën e OSBE-së, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme për kontributin e tyre në këtë trajnim dhe dua të siguroj qytetarët që policia është e fokusuar në zbatimin korrekt të ligjit dhe vetëm ligjit”.
Rreth 145 oficerë policie të nivelit të lartë dhe të mesëm, duke përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve, të drejtorive vendore, të policisë kufitare, shefat e komisariateve dhe zëvendësdrejtorët vendorë për rendin dhe sigurinë publike, do të trajnohen nga 26 deri më 28 janar. Më pas, në trajnim do të përfshihen 170 trajnerë, të cilët do të trajnojnë, në vijim, rreth 6 000 oficerë policie. Po ashtu, Prezenca ka përgatitur një broshurë për rolin e policisë në procesin zgjedhor, e cila do t’u shpërndahet të gjithë oficerëve të policisë të përfshirë në zgjedhje.
Prezenca e OSBE-së ka organizuar trajnime për rolin e policisë në zgjedhje përpara çdo procesi zgjedhor, që prej vitit 2005, duke siguruar ndërkohë një autorësi gjithnjë e më të madhe të Policisë së Shtetit në këto trajnime.