Prezenca e OSBE-së zhvillon tryezë për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit deri tani dhe sfidat e zbatimit të tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta organizuan së bashku një tryezë diskutimi, më 11 dhjetor 2020, në Tiranë. Veprimtaria u përqendrua në zbatimin e deritanishëm të ligjit të dekriminalizimit dhe në sfidat e zbatimit të tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme, institucioneve të tjera, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe të partnerëve ndërkombëtarë kryesorë në Shqipëri që ndjekin nga afër zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
“Prezenca e OSBE-së është e bindur se zbatimi i duhur i ligjit të dekriminalizimit është themeli për një luftë më të efektshme kundër mashtrimit zgjedhor, si edhe për një pastrim më të mirë të listave të kandidatëve nga individët me të shkuar kriminale apo nga ata që janë nën hetim penal”, tha Kryetari i Prezencës, Vincenzo Del Monaco.
Partneri zbatues i tryezës, Instituti i Studimeve Politike, paraqiti gjetjet kryesore të një vlerësimi dhe ankete të kryer prej tij lidhur me zbatimin e këtij ligji në fushën e zgjedhjeve. Instituti bëri një përmbledhje të zbatimit të ligjit deri tani dhe identifikoi pengesat e ndryshme që ka hasur zbatimi i plotë i ligjit.
Pjesëmarrësit theksuan se ligji për dekriminalizimin ka arritur rezultate domethënëse që prej miratimit, në dhjetor 2015, gjë që ka çuar në shkarkimin apo dorëheqjen e një numri të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë shtetërorë, përfshirë këtu shumë zyrtarë të zgjedhur, si deputetë, kryetarë bashkish dhe anëtarë të këshillave bashkiakë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Prokuroria e Përgjithshme ndanë përvojën dhe sfidat e tyre në zbatimin e ligjit në fushën e zgjedhjeve përgjatë viteve.
Pjesëmarrësit u angazhuan ta forcojnë më tej bashkëpunimin dhe ta mbështetin njëri-tjetrin me qëllim që të parandalojnë sa më shumë dhe në kohën e duhur futjen e individëve të inkriminuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë ta ndjekë nga afër këtë çështje dhe të mbështetë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme dhe aktorët politikë për zbatimin sa më të efektshëm të ligjit të dekriminalizimit në zgjedhjet e ardhshme.