Prezenca e OSBE-së trajnon personelin akademik të Programit të parë Master për Kriminologjinë në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë dhe me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, organizoi një trajnim për personelin akademik të Programit të ri Master për Kriminologjinë, më 22-25 shtator 2020. Programi Master, i cili do të fillojë këtë vit akademik, është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e nisi këtë program si pjesë të një projekti të mbështetur financiarisht nga Misioni i SHBA-së në OSBE.
Rreth 35 pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga dy ekspertë ndërkombëtarë të kriminologjisë, profesore Kimberly McCabe dhe profesor Keith Smith nga Universiteti i Lynchburg-ut, Virginia, SHBA. Trajnimi u bë në vijim të analizës së vlerësimit të nevojave, që u organizua në muajin maj të vitit 2020 me të njëjtin grup.
Kursi kishte për synim thellimin e njohurive të personelit akademik të programit Master, si dhe pajisjen e tyre me një tablo më të hollësishme të lëndëve të posaçme që lidhen me kriminologjinë. Kursi katërditor i trajnimit trajtoi tema si: përmirësimi i drejtësisë penale me anë të arsimimit në fushën e kriminologjisë; mësimdhënia për studentët dhe profesionistët; shpjegimi i metodave kërkimore; përdorimi në terren i kërkimeve të zhvilluara nga studentët; zhvillimi i personelit dhe aftësive drejtuese; viktimologjia, etika dhe korrupsioni; sistemet ligjore dhe të rinjtë; ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi që çojnë në terrorizëm (VERLT); si edhe krimi i organizuar dhe trafikimi.
Përmes projektit në tërësi, Prezenca synon krijimin e një Programi Master ndërdisiplinor për Kriminologjinë në Shqipëri, duke ofruar një kurrikul gjithëpërfshirëse dhe të integruar, e cila u shërben rrugëtimeve të ndryshme të karrierës në sistemin e drejtësisë. Me anë të programit Master, Prezenca synon, gjithashtu, përmirësimin e kapaciteteve kërkimore të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri, me qëllim evidentimin e shkaqeve kryesore të krimit.
Programi i Masterit do t’u mundësojë studentëve të shqyrtojnë marrëdhëniet e ndërlidhura ndërmjet krimit, drejtësisë dhe shoqërisë në një kontekst krahasues, si dhe të përkrahin drejtësinë restauruese për viktimat edhe në reagimet që kanë në qendër viktimën. Masteri do të përqendrohet te praktikat e të drejtave të njeriut, veçanërisht në kontekstin e diskriminimit, migrimit, VERLT-it, së drejtës për privatësi dhe krimeve të urrejtjes.
Projekti zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.