Prezenca e OSBE-së organizon trajnimin e parë në “mobile journalism” për gazetarët e televizionit publik shqiptar
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi dy trajnime tri-ditore për xhirimin dhe montimin e kronikave televizive përmes telefonit celular. Në trajnimet, që përfunduan sot, morën pjesë 25 gazetarë të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH). Kursi i “mobile journalism” (gazetarisë me ndihmën e celularit) – i pari i këtij lloji për televizionin publik shqiptar – shënon fillimin e një programi trajnimi njëvjeçar të Prezencës së OSBE-së, pjesë e projektit “Media në fokus”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Prezenca.
Dymbëdhjetë gazetarë nga Tirana dhe trembëdhjetë gazetarë të studiove të RTSH-së në Shkodër, Kukës, Gjirokastër dhe Korçë morën pjesë në trajnimin online, të drejtuar nga eksperti i Bashkimit Evropian të Transmetuese, Glen Mulcahy. Ai i aftësoi pjesëmarrësit në “mobile journalism”, i njohu me aplikacionet kryesore në celular që përdoren në këtë fushë, si edhe i drejtoi në realizimin e kronikave të tyre të para me celular.
“Mobile journalism është e ardhmja, ndaj gazetarët e rinj duhet të jenë të përgatitur me aftësi të reja dixhitale, që e lehtësojnë punën e tyre dhe e bëjnë atë më interesante për publikun. Ky trajnim ishte një hap i parë në këtë drejtim”, tha Bledar Zaganjori, drejtues i njësisë së programeve tematike dhe lajmeve në RTSH.
Gjatë projektit “Media në fokus”, Prezenca e OSBE-së ka për qëllim të fuqizojë transmetuesin publik shqiptar, përmes rritjes së kapaciteteve të gazetarëve dhe prodhimit të emisioneve të reja tematike. Po ashtu, ajo synon të përmirësojë dhe të modernizojë kurrikulën e Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Kurset e ardhshme, të parashikuara në projekt, do të përqendrohen në raportimin investigativ, gjykimin editorial, parimet e medias së shërbimit publik, si edhe në përdorimin e medias dhe të rrjeteve sociale për mbledhjen e lajmeve.