Prezenca e OSBE-së ndihmon Shqipërinë në zbatimin e axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Zyrtarë të lartë shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar arritjet në zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Shqipëri, dhe hapat e mëtejshëm. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Shqipëria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në vitin 2018 dhe punon ngushtë me OSBE-në për ta përkthyer përkushtimin e saj ndaj grave në siguri në një kontribut të vërtetë e të prekshëm. Ne jemi plotësisht të gatshëm të mbështesim vendin në zbatimin e Rezolutës 1325”, tha Kryetari i Prezencës, Bernd Borchardt.
“20-vjetori i Rezolutës 1325 e gjen Shqipërinë të angazhuar për të përmbushur objektivat e planit të veprimit për zbatimin e kësaj rezolute. Ne kemi nevojë për më shumë gra në politikë, për më shumë gra në polici, për më shumë gra në ushtri, për më shumë gra në misionet paqeruajtëse, për më shumë gra diplomate, për më shumë gra në këshillat bashkiakë, pavarësisht se kemi arritur shumë. Kemi ende shumë për të bërë për të dëgjuar zërin e grave,” tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se prirja e përfshirjes së grave në forcat e armatosura, gjatë viteve të fundit, ka qenë shumë pozitive – gratë përbëjnë 18,2 për qind të personelit të forcave të armatosura dhe 35,4 për qind e oficerëve të rinj të graduar në vitin 2019-2020 ishin gra. “Teksa përpiqemi të ndërtojmë një forcë ushtarake moderne dhe profesioniste, për ne është e domosdoshme që të afrojmë talentet më të mira. Duke përjashtuar gratë, i mohojmë vetes të paktën gjysmën e ushtarakëve të talentuar që mund të ofrojë shoqëria shqiptare”, tha ajo.
Konferenca tregoi praktikat më të mira në zbatimin e planeve kombëtare të veprimit për Rezolutën 1325 në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit diskutuan për rolin e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në çuarjen përpara të axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ata theksuan nevojën për struktura të efektshme, të cilat u mundësojnë grave pjesëmarrjen aktive në proceset e paqes dhe në veprimtaritë afatgjata për ndërtimin e paqes.
Mesazhi i përgjithshëm i konferencës ishte se sfidat në zbatimin e Rezolutës 1325 nuk mund të trajtohen si duhet nëse shihen si detyrë vetëm e qeverisë. “Konferenca vuri në dukje se veprimet në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë duhet të mbështeten në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe në rolin aktiv të shoqërisë civile dhe të medias, si edhe në faktet e zbatimit të kësaj axhende në mbarë rajonin e OSBE-së. Studimi më i fundit i OSBE-së “Zbatimi i axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në rajonin e OSBE-së”, botuar në janar 2020, është një pikënisje e mirë në këtë drejtim”, tha Sihana Nebiu, shefe e Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE-së.