Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet vizitën studimore të parlamentarëve shqiptarë në Liqenin e Konstancës për të mësuar rreth bashkëpunimit shumëpalësh dhe mbikëqyrjes parlamentare
Një delegacion i anëtarëve të Komisionit Kuvendor për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, i cili përbëhej prej deputetëve të shumicës dhe të opozitës, zhvilloi një vizitë studimore në Liqenin e Konstancës në datat 19 deri në 23 tetor 2018 për të mësuar rreth bashkëpunimit ndërkufitar të lidhur me menaxhimin e liqenit. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri sipas një programi përshtatur nevojave të tyre, i cili kishte në qendër bashkëpunimin shumëpalësh mes parlamenteve dhe mekanizmave të mbikëqyrjes parlamentare.
Delegacioni mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Liqenit të Konstancës me ftesë të Komisionit Parlamentar të Liqenit të Konstancës.
“Pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare të Liqenit të Konstancës ishte një përvojë tej mase e vlefshme”, tha Eduard Shalsi, Drejtuesi i Delegacionit dhe Kryetari i Komisionit Kuvendor në fjalë. “Liqeni i Konstancës menaxhohet bashkërisht dhe në mënyrë të suksesshme nga Austria, Gjermania, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Shqipëria dhe fqinjët e saj mund ta huazojnë këtë përvojë për ta zbatuar atë në Liqenet e Shkodrës, Ohrit dhe Prespës. I jam mirënjohës Prezencës së OSBE-së për mbështetjen e kësaj vizite”.
Delegacioni mësoi rreth detyrimeve të bashkëndara nga palët e përfshira, të cilat bashkëpunojnë rregullisht me njëra-tjetrën, si dhe me historitë e suksesit dhe sfidat në këtë drejtim. Diskutimet u përqendruan në menaxhimin ndërkufitar të liqeneve, shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, rehabilitimin e hapësirat me ujë, si dhe me përfshirjen e politikëbërësve të niveleve të ndryshme në këto procese.
Delegacioni vizitoi disa struktura të mirëmbajtjes së liqenit, duke përfshirë këtu impiante për pastrimin e ujit, si dhe mori informacion të bollshëm rreth procedurave, menaxhimit, si dhe burimeve financiare e njerëzore të nevojshme për funksionimin dhe mbarëvajtjen e tyre. Ata po ashtu morën pjesë në Konferencën e Tretë Speciale të Liqenit të organizuar nga Ministria e Mjedisit, Klimës dhe Energjisë e Landit gjerman të Baden-Vyrtenbergut, rreth përdorimit qëndrueshëm dhe rehabilitimit të liqeneve, si dhe u takuan me anëtarë të komisionit të Integruar për Menaxhimin Ndërkufitar të Liqenit të Konstancës.
Kjo veprimtari u organizua në kuadrin e fazës përgatitore të projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”. Ky projekt fillon në nëntor të këtij viti dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria zvicerane.