OSBE dhe EBU trajnojnë gazetarët e RTSH-së për mediat online dhe rrjetet sociale
Një trajnim intensiv për mediat online dhe përdorimin e rrjeteve sociale u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU) për 15 gazetarë dhe redaktorë të transmetuesit publik Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) në datat 31 tetor deri 2 nëntor, në ambientet e RTSH në Tiranë.
Trajnimi u fokusua në përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve për shkrimin e artikujve për mediat online, si dhe në përmirësimin e mënyrave të përfshirjes dhe rritjes së audiencës në internet.
"Më ka lënë shumë mbresa zelli i madh për të mësuar dhe pasioni i pjesëmarrësve të trajnimit. Unë shpresoj se ata tashmë kanë fituar njohuri të vlefshme dhe janë frymëzuar për të ecur përpara drejt krijimit të përmbajtjes cilësore për faqet e tyre të internetit dhe mediat sociale" – tha trajnuesi i EBU-së Justin Kings.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth sfidave të lidhura me shtimin e lajmeve të rreme dhe morën informacion të mjaftueshëm lidhur me metodat e hulumtimit dhe hapat e verifikimit për lajmet në internet dhe në mediat sociale.
Ata gjithashtu shqyrtuan rëndësinë e strategjive dixhitale për transmetuesit publikë, duke synuar intensifikimin e ndërveprimit me publikun.
Vojislav Raonic, zyrtar i lartë për mediat pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, vlerësoi vendosmërinë e kuadrit drejtues të RTSH-së dhe redaksisë së lajmeve për një angazhim aktiv në fushën e mediave sociale.
"Platformat e mediave sociale janë një përbërës themelor i programit të ri. Këto platforma komunikimi ofrojnë mundësi të vlefshme për mediat e shërbimit publik që të angazhohen dhe të bashkëveprojnë me audiencën e tyre", nënvizoi ai.
Në bazë të një memorandumi mirëkuptimi trepalësh të nënshkruar më herët, Prezenca e OSBE-së dhe EBU bashkëpunojnë ngushtë me RTSH-në në procesin sfidues të transformimit të tij në një transmetues publik të pavarur, të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.