Ministri i Jashtëm i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikolla Poposki i drejtohet Këshillit të Përhershëm të OSBE-së mbi situatën politike në vend
VJENË, 11 qershor 2015 - Ministri i Jashtëm i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikolla Poposki, riafirmoi angazhimet e vendit të tij për integrimin evropian dhe euro-atlantik gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vjenë. Ai gjithashtu theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është me rëndësi jetike për vendin.
“Vendi po përballet me sfida serioze politike, të cilat duhet të adresohen në mënyrë institucionale në përputhje me parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit,” tha Poposki. “Ne jemi duke kaluar nëpër një krizë të brendshme politike e cila kërkon zgjidhje të brendshme.” Ai theksoi se ngjarjet në Kumanovë nuk ishin të lidhura me çështjet ndëretnike, duke shtuar se “ngjarjet kanë sfiduar seriozisht stabilitetin e vendit dhe të vetë rajonit.”
Pas takimit të 10 qershorit, të udhëhequr nga Komisioni Evropian në Bruksel, Poposki ka konfirmuar se liderët politikë kanë arritur një marrëveshje paraprake për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme deri në prill të vitit 2016, si dhe për zbatimin e një plani që synon forcimin e besimit në institucionet dhe kthimin e proceseve normale politike në vend.
Duke iu drejtuar Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Përfaqësuesi Special i Kryesisë serbe për Ballkanin Perëndimor Ambasadori Gerard Stoudmann tha: “Dialogu i vazhdueshëm mes subjekteve politike është zhvillimi i parë pozitiv që duhet të shpie në rivendosjen e besimit në institucionet e vendit. OSBE, në veçanti falë prezencës së saj në këtë vend, është e gatshme të mbështet partitë për zbatimin e një marrëveshjeje.”
Më tej u theksua se Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) mund të luaj rol të fuqishëm në vëzhgimin e zgjedhjeve. Ndihmë mund të ofrohet gjithashtu edhe nga Misioni i OSBE-së në Shkup.