Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut u menaxhuan mirë përkundër pandemisë, por jostabiliteti ligjor mbetet ende shqetësim, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
Shkupi, 16.07.2020 – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi u zhvilluan mirë dhe kandidatët mund të zhvillonin fushatë lirisht, mirëpo stabiliteti ligjor u dëmtua nga rishikime të konsiderueshme të kornizës ligjore dhe të dekreteve qeveritare të mëpasshme, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në deklaratën e sotme.
"Është një kohë shumë sfiduese për të mbajtur zgjedhje, dhe ne i njohim përpjekjet e autoriteteve për t'u përshtatur me rrethanat e reja," tha Laima Andrikienė, Shefja e Misionit të posaçëm për vlerësimin e zgjedhjeve të ODIHR-it. Megjithatë, ka çështje të pazgjidhura në ligjin dhe procesin zgjedhor që shpesh çojnë në marrëveshje politike të momentit të fundit. Kësaj duhet kushtuar vëmendje serioze nga ana e autoriteteve përpara zgjedhjeve të ardhshme. "
Rreth 1.8 milion njerëz kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u shtynë për shkak të pandemisë së KOVID-19. Administrata zgjedhore e përfundoi punën e saj brenda të gjitha afateve ligjore, megjithë ndërlikimet e shkaktuara pasi procesi zgjedhor u pezullua. Vetë dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme, përkundër disa sfidave teknike me raportimin e rezultateve. Sidoqoftë, çështjet e vjetra strukturore gjatë përpilimit të regjistrit të votuesve mbeten të pa trajtuara.
Korniza ligjore u ndryshua në mënyrë thelbësore pak para shpalljes së zgjedhjeve, që është në kundërshtim me praktikën e mirë ndërkombëtare. Mospërputhjet e vazhdueshme dhe formulimet e paqarta dëmtojnë qartësinë ligjore dhe ende kanë nevojë për rishikim thelbësor.
Kandidatët patën mundësinë vërtetë të garojnë si dhe të japin mesazhet e tyre, megjithëse fushata u karakterizua me retorikë negative për dallim nga diskutimet mbi përmbajtjen e politikave. Mbulimi mediatik i zgjedhjeve në përgjithësi pati mungesë të një vlerësimi kritik të platformave dhe rregullave mbi reklamat politike me pagesë, të cilat favorizuan tre partitë më të mëdha.
MPVZ - Misioni i posaçëm për vlerësim të zgjedhjeve i ODIHR-it në Maqedoninë e Veriut filloi punën e tij në 19 qershor dhe do të përfundojë në 23 korrik. MPVZ u përqëndrua në çështjet e identifikuara nga misioni i vlerësimit të nevojave të ODIHR-it me qëllim të vlerësimit se në çfarë shkalle këto zgjedhje u mbajtën zgjedhjet në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar.
Për informata shtesë, Ju lutemi kontaktoni: Katya Andrusz, ODIHR: +48 609 522 266 or katya.andrusz@odihr.pl