OSBE / ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri
Tiranë, 29 Mars 2011 – Sot Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi fomalisht një mision vëzhgues për monitorimin e Zgjedhjeve Vendore të 8 Majit në Shqipëri.
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë të vendosur në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë që do të vendosen në të gjithë vendin. Përveç kësaj, ODIHR do të sjellë 400 vëzhgues afatshkurtër për të monitoruar proçedurat në ditën e zgjedhjeve dhe proçesin e numërimit. Misioni kryesohet nga Jonathan Stonestreet, i cili ka drejtuar disa misione zgjedhjesh për ODIHR-in vitet e fundit.
Misioni do të vlerësojë zgjedhjet lokale për përputhshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike si dhe me legjislacionin e vendit. Vëzhguesit do të ndjekin aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, implementimin e legjislacionit në lidhje me zgjedhjet, median dhe zgjidhjen e kontestimeveve. Vëzhguesit afatshkurtër do të monitorojnë hapjen e qendrave të votimit, votimin, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit.
Pas zgjedhjeve, ODIHR do të japë një deklaratë për rezultatet dhe përfundimet paraprake në një konferencë shtypi. Një raport përfundimtar për vëzhgimin e tërë proçesit zgjedhor do të bëhet rreth 8 javë pas përfundimit të misionit të vëzhgimit.
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve ODIHR dhe prania e OSBE-së në Shqipëri veprojnë veç e veç sipas mandateve të tyre të veçanta.