Zgjedhjet në Shqipëri përfaqësojnë një shans të humbur
TIRANË, 19 Shkurt 2007 – Zgjedhjet lokale të 18 shkurtit në Shqipëri përbënë një mundësi të humbur për të zhvilluar zgjedhje në përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare dhe me standardet demokratike. Dita e zgjedhjeve ishte në përgjithësi e qetë, por votimi u shënua prej mangësive proceduriale dhe në disa vende nga tensioni. Këto janë konkluzionet e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, MNVZ, të shpallura sot në Tiranë.
Ndërkohë që zgjedhjet përfaqësonin një garë konkurruese, partitë politike nuk iu përmbajtën përgjegjësive që u jep ligji dhe klima zgjedhore u përshkua nga pasiguria dhe mungesa e besimit mes aktorëve kryesorë në zgjedhje.
“Mungesa e një angazhimi konstruktiv prej partive politike riktheu shqetësime të mëparëshme lidhur me vullnetin e tyre për bashkëpunim me njeri tjetrin për të siguruar që zgjedhjet të kryhen në përputhje me Angazhimet e OSBE-së,” tha Jorgen Grunnet, i cili kryesoi misionin afatgjatë të dërguar nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR).
MNVZ-ja bëri thirrje që të bëheshin përpjekje të vendosura për një sistem të besueshëm të gjendjes civile para zgjedhjeve të ardhshme dhe i nxiti partitë politike të mos abuzojnë me këtë çështje në debatet e tyre.
Joseph Borg, i cili foli në emër të delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, tha: “Megjithëse kjo ishte një garë konkurruese, vëzhguam mangësi proceduriale të përhapura, të cilat u mohuan një numri të konsiderueshëm zgjedhësish të drejtën për të votuar.”
Në përgjithësi, kandidatët dhe partitë mund të regjstroheshin pa pengesa dhe kishin mundësi që t’ia përçonin lirisht elektoratit pikpamjet e tyre. Megjithatë, disa kandidatë që provuant të regjistrohen si të pavarur, hasën pengesa të pajustifikuara.
Media siguroi një pasqyrim të balancuar të fushatës dhe zgjedhësit patën mundësi të informoheshin para se të zgjidhnin mes një sërë alternativash. Gjithsesi, toni i fushatës zgjedhore u përkeqësua në javën e fundit, duke u përqendruar në sulme të personalizuara, dhe u vërejtën disa incidente të dhunshme.
Ditën e zgjedhjeve, mangësitë proceduriale kishin të bënin kryesisht me përdorimin e certifikatave të lindjes. Qendrat u hapën me vonesë në shumicën e qendrave të votimit ku u vëzhgua procesi i hapjes, për shkak të mosdërgimit të plotë të materialit zgjedhor dhe vonesave në emërimin eanëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit.
Boja e dukshme e përdorur për të shënuar gishtat e zgjedhësve ishte e objekt debati, ku partitë politike pretendonin se ajo mund të fshihej me lehtësi. Shpesh u vëzhgua votim në grup, si dhe disa raste të votimit për të tjerë dhe të shumëfishtë. Në Tiranë, ngjyrat e ngjashme të disa prej fletëve të votimit çuan në pështjellim dhe mund të kenë rezultuar në një numër fletësh votimi të futura në kutitë e gabuara dhe për rrjedhojë të jenë bërë të pavlefshme.