ODIHR nis misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri
TIRANË, 19 Mars 2021 – Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e OSBE-SË (ODIHR) sot nisi misionin e vëzhgimit për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit në Shqipëri, duke ndjekur ftesën zyrtare nga autoritetet e vendit.
Misioni udhëhiqet nga Ambasadoria Urszula Gacek dhe përbëhet nga një ekip prej 12 ekspertësh zgjedhor të ndodhur në Tiranë si dhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin nga data 26 Mars.
Misioni do të vlerësojë zgjedhjet mbi pajtueshmërinë me angazhimet e OSBE-së si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, po ashtu dhe me legjislacionin kombëtar. Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër proçesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin në lidhje me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet. Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë gjithashtu mbulimin mediatik të fushatës.
Takimet me përfaqësues të shumtë të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe bashkësisë ndërkombëtare përbëjnë një pjesë integrale të vëzhgimit.
Për shkak të emergjencës së vazhdueshme shëndetësore të shkaktuar nga pandemia COVID-19 në të gjithë rajonin e OSBE-së dhe kufizimeve të lidhura me udhëtimet, ODIHR nuk është në gjendje të vendosë vëzhgues afatshkurtër përpara zgjedhjeve të 25 Prillit siç ishte planifikuar fillimisht.
Formati i aktivitetit të vëzhgimit është përshtatur për një Mision të Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MKCZ), i cili do të përfshijë vëzhgues afatgjatë të vendosur në të gjithë vendin. Ndërsa anëtarët e misionit do të vizitojnë një numër të kufizuar të vendvotimeve ditën e zgjedhjeve, nuk do të ketë ndonjë vëzhgim sistematik të votimit, numërimit ose tabelimit të rezultateve.
Në vetë ditën e zgjedhjeve, misioni vëzhgues i ODIHR do të bashkojë përpjekjet me delegacionet nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Një raport i ndërmjetëm do të publikohet për të azhurnuar publikun dhe mediat gjatë vëzhgimit. Një ditë pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve paraprake do të paraqitet në një konferencë për shtyp. Një raport përfundimtar që përmbledh vëzhgimin dhe bën rekomandime për përmirësime do të publikohet afërsisht dy muaj pas përfundimit të proçesit zgjedhor.
Misioni i Vëzhgimit ODIHR dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri veprojnë veçmas nën mandatet e tyre përkatëse. Për informacione të mëtejshme, ju lutemi vizitoni: https://www.osce.org/odihr/elections/albania.
Kontaktet per median:
Kira Kalinina, analiste mediatike, në: Kira.Kalinina@odihr.al ose +355 68 394 2987
ose Katya Andrusz, zëdhënëse e ODIHR, në: katya.andrusz@odihr.pl ose +48 609 522 266