OSBE/ODIHR hap misionin e vëzhgimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
TIRANË, 15 maj 2013 – Zyra e OSBE/ODIHR-it hapi zyrtarisht sot një mision vëzhgimi të zgjedhjeve për të monitoruar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri.
ODIHR-i u ftua nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet.
Misioni kryesohet nga Conny McCormack dhe përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë të vendosur në Tiranë, si dhe 30 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në të gjithë vendin. Ekspertët dhe vëzhguesit vijnë nga 14 shtete të ndryshme. Përveç kësaj, ODIHR-i do t’u kërkojë 400 vëzhguesve afatshkurtër të monitorojnë ecurinë e ditës së zgjedhjeve si dhe procesin e numërimit të votave.
Misioni do të japë vlerësimin për zgjedhjet parlamentare dhe ecurinë e tyre në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe të standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe në përputhje me legjislacionin vendas. Vëzhguesit do të ndjekin aktivitetet e fushatës, punën e administrimit të zgjedhjeve dhe organizmave përkatës shtetërorë, implementimin e kuadrit ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin e medias për fushatën.
Gjatë vëzhgimit, misioni do të takohet me përfaqësues të autoriteteve përkatëse, me partitë politike dhe me kandidatë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe komunitetit ndërkombëtar. Në ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do të monitorojnë hapjen e qendrave të votimit, procesin e votimit, numërimin e votave dhe tabelat e rezultateve në të gjitha nivelet.
Një deklaratë e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake do të lëshohet në ditën pas zgjedhjeve. Gjithashtu, një raport përfundimtar mbi vëzhgimin e tërë procesit zgjedhor do të publikohet përafërsisht dy muaj pas përfundimit të tij.
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri operojnë në mënyrë të ndarë sipas mandateve specifike të tyre.
Për informacion të mëtejshëm, ju lutemi vizitoni: //www.osce.org/odihr/elections/albania
ose kontaktoni Giuseppe Milazzo, Analist i Medias, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it në numrin +355 69 736 4942, ose në giuseppe.milazzo@odihr.al; ose Thomas Rymer, Zëdhënës i ODIHR-it, në numrin + 48 609 522 266 ose thomas.rymer@odihr.pl