Albania, Local Elections, 8 May 2011: Final Report (Albanian)
Në vijim të një ftese të Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë drejtuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) për të vëzhguar zgjedhjet e qeverisjes vendore të 8 majit 2011, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) dërgoi Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhjet u vlerësuan për përputhshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin vendas. Për vëzhgimin gjatë ditës së zgjedhjeve, MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it i bashkoi përpjekjet me Kongresin e Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Zgjedhjet për qeverisjen vendore u zhvilluan në një atmosferë politike që arriti në një pikë krize pas përplasjeve të dhunshme ndërmjet demonstruesve antiqeveritarë dhe policisë më 21 janar 2011 që çuan në katër të vdekur. Ndërkohë që zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, ato ishin tejet të polarizuara, me mungesë besimi ndërmjet partive politike në qeveri dhe opozitës. Sikundër në zgjedhjet pararendëse, dy partitë e mëdha nuk i përmbushën detyrat e tyre zgjedhore me përgjegjshmëri, duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve. Anshmëria partiake dhe mosmarrëveshjet e ashpra brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) gjatë përgatitjeve për zgjedhje e dobësoi aftësinë e tij për të kapërcyer boshllëqet dhe paqartësisë në Kodin Zgjedhor në mënyrë të efektshme dhe me kolegjialitet.
Pikëpamjet, opinionet, përfundimet dhe informacionet e tjera të shprehura në këtë dokument as nuk janë dhënë dhe as nuk mbështeten detyrimisht nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me përjashtim të rastit kur OSBE-ja është e përcaktuar qartë si Autorja e këtij dokumenti.