ODIHR-i dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizojnë tryezën për legjislacionin me ndjeshmëri gjinore
Promovimi i legjislacionit me ndjeshmëri gjinore në Shqipëri ishte në fokus të diskutimeve të një tryeze në Tiranë, më 20 mars 2019. Veprimtaria u organizua nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe parlamentin e Shqipërisë.
Ligjvënës, staf i Kuvendit dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë të çështjeve gjinore (36 gra dhe 6 burra) shkëmbyen njohuri për barazinë gjinore në parlament, duke u përqendruar te hapat praktikë në hartimin e legjislacionit me ndjeshmëri gjinore. Po ashtu, pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrat për të institucionalizuar analizën gjinore në procesin legjislativ dhe në punën e Kuvendit më gjerësisht.
“Barazia gjinore në legjislacion është e një rëndësie thelbësore, pasi siguron që ligjet funksionojnë si për gratë ashtu edhe për burrat”, tha Ajla van Heel, Këshilltare e ODIHR-it për Barazinë Gjinore. “Ligjet ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe, prandaj, ato duhet të pasqyrojnë edhe nevojat, interesat dhe përparësitë e grupeve të ndryshme të zgjedhësve, përfshirë gratë dhe burrat në të gjithë diversitetin e tyre”.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha: “Kjo tryezë është një mundësi shumë e mirë për të mësuar apo për të rifreskuar njohuritë se si duhet të hartohen ligjet në mënyrë që të japin të njëjtat rezultate për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, në mënyrë të barabartë për gratë dhe burrat”.
Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, tha: “Ne po përmirësojmë ligjet sa i përket barazisë gjinore, por duam të sigurohemi që perspektiva gjinore të jetë e pranishme në të gjitha ligjet dhe këto ligje të kenë ndikim të mirë si te gratë edhe te burrat në Shqipëri. Kjo është një detyrë që nuk u përket vetëm grave parlamentare, por gjithë parlamentit si institucion”.
Tryeza u organizua si pjesë e projektit të ODIHR-it për fuqizimin e institucioneve demokratike gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse në rajonin e OSBE-së, si dhe në kuadër të projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen e Kuvendit.