OSBE/ODIHR-i dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizojnë në Tiranë “Takimin Vjetor të Monitorimit të Gjyqeve 2016”
Rreth 50 përfaqësues, përfshi 25 gra, nga 26 organizata jofitimprurëse dhe shtatë misione në terren të OSBE-së, shkëmbyen përvojat në monitorimin e gjyqeve, në një takim të organizuar bashkërisht nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, nga 15 deri më 17 qershor, në Tiranë.
Gjatë Takimit Vjetor të Monitorimit të Gjyqeve, pjesëmarrësit diskutuan edhe për sfidat që lidhen me monitorimin e gjyqeve, përfshi vlerësimin e sistemeve të drejtësisë, standardet e procesit të rregullt gjyqësor, si edhe financimin e organizatave të shoqërisë civile për të garantuar qëndrueshmërinë e monitorimit të gjyqeve nga ana e tyre.
"Përvoja e Misionit në Bosnjë-Hercegovinë me një nga programet më të mëdha të OSBE-së për monitorimin e gjyqeve ka qenë thelbësore për të arritur në identifikimin e treguesve më të mirë për të vlerësuar se deri në çfarë mase gjyqet përmbushin standardet e kërkuara", tha Francesco De Sanctis, Kryetar në Detyrë i Seksionit të Shtetit të së Drejtës pranë Misionit të OSBE-së në Bosnjë-Hercegovinë. "Pjesëmarrësit në Takimin Vjetor të Monitorimit të Gjyqeve mezi presin të mësojnë mjetet praktike që iu shërbejnë për të vlerësuar më mirë procedimet që monitorojnë".
Robert Wilton, Kryetar në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha: "Monitorimi i gjyqeve ka qenë një mjet i fuqishëm për të hartuar ndërhyrje që reformojnë dhe përmirësojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sidomos në lidhje me efikasitetin dhe kohëzgjatjen e gjyqeve. Në praktikë, kjo do të thotë një sistem drejtësie më transparent dhe më i besueshëm për qytetarët".
Gjatë takimit, ODIHR-i prezantoi botimet e veta në lidhje me monitorimin e gjyqeve, përfshi “Përmbledhje ligjore e të drejtave ndërkombëtare të gjykimit të drejtë” (2012), që përshkruan hollësisht të drejtat për gjykim të drejtë dhe përfshin skedat e monitorimit, “Monitorimi i gjyqeve: Manual referencë për profesionistët” (2012), që përshkruan metodologjitë e ndryshme të OSBE-së për monitorimin e gjyqeve dhe “Manual për Monitorimin e Drejtësisë Administrative” (2013), që shërben për të mbështetur monitorimin e procedimeve administrative.
ODIHR-i organizon këto takime vjetore prej më shumë se një dhjetëvjeçari, me objektivin që të konsolidohet një platformë për shkëmbimin e praktikave të mira dhe diskutimin e sfidave në fushën e monitorimit të gjyqeve për profesionistët ligjorë nga misionet në terren të OSBE-së dhe shoqëria civile. Kjo nismë është pjesë e punës më të gjerë të Zyrës për t'iu ardhur në ndihmë Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së që të zhvillojnë sisteme drejtësie të cilat respektojnë shtetin e së drejtës dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor.