Raporti i OSBE-së dhe “adelphi”-t: ndryshimet klimatike dhe siguria ofrojnë mundësi për bashkëpunim në Evropën Juglindore
VJENË, 22 prill 2021 – Ndryshimet klimatike shumëfishojnë rrezikun dhe po prekin në mënyrë të shumanshme ekonomitë, mjedisin dhe shoqëritë në Evropën Juglindore, thotë një raport i botuar sot nga OSBE-ja dhe nga platforma e mendimit “adelphi” me qendër në Berlin.
Raporti me titull ”Vlerësimi rajonal për Evropën Juglindore: Pasojat e ndryshimeve klimatike në Fushën e Sigurisë” , i cili evidenton rreziqet, pikat e nxehta, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim, paraqet rezultatet e konsultimeve gjithëpërfshirëse rreth ndryshimeve klimatike dhe sigurisë në rajonin e OSBE-së. Konsultimet në fjalë përfshinë një varg tryezash pune dhe anketash me pjesëmarrjen e mbi 80 përfaqësues të organeve qeveritare, organizatave të shoqërisë civile, dhe botës akademike nga Evropa Juglindore, si dhe nga organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndryshimet klimatike po përshpejtohen në rang global dhe efektet e tyre ndihen te shpeshtësia dhe intensiteti i rritur i valëve të nxehtësisë, thatësirave, përmbytjeve dhe zjarreve në Evropën Juglindore.
Raporti dallon shtatë fusha rreziku, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, të tilla si bujqësia, turizmi, energjia, shëndeti dhe pyjet. Ai përcakton, gjithashtu, shtatë pika të nxehta gjeografike të posaçme, të tilla si basenet e përbashkëta të lumenjve dhe ekosistemet e përbashkëta malore, si edhe dy sfida madhore të përbashkëta për të gjithë rajonin: ndotja e ajrit dhe migrimi.
Mbi të gjitha, raporti thekson disa mundësi për bashkëpunim rajonal, të cilat duhen përdorur në mënyrë që të trajtohen rreziqet e sigurisë që lidhen me klimën.
Prezantimi i raportit përkon me Ditën e Tokës dhe me përvjetorin e pestë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Parisit.
“Ndryshimet klimatike përbëjnë një prej çështjeve më të rëndësishme të kohës ku jetojmë, si për aspektin politik, ekonomik, social, edhe për atë mjedisor. Në prani të trysnive të tjera, si zhvillimi ekonomik i pabarabartë, pabarazia shoqërore dhe kufizimi i burimeve, ndryshimet klimatike mund të shfaqen edhe si problem në fushën e sigurisë. Këto sfida mund të zgjidhen vetëm me anë të një përqasjeje të shumanshme dhe bashkëpunuese”, tha Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid. “Në Evropën Juglindore, ne tashmë kemi bërë hapa përpara duke hartëzuar rreziqet e përbashkëta potenciale dhe duke përcaktuar zgjidhje të përbashkëta”.
Që në vitin 1975, Akti Përfundimtar i Helsinkit njohu nevojën për bashkëpunim në kuadrin e ndryshimeve klimatike, si pjesë e përqasjes gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj paqes dhe sigurisë.
Vuk Žugić, Bashkërenduesi i Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së, tha se proceset këshillimore si ky në fjalë janë shumë të rëndësishme për trajtimin e ndikimeve të ndryshme të ndryshimeve klimatike në rajonin e OSBE-së. “I jemi mirënjohës të gjithë atyre që morën pjesë në këtë proces këshillimor rajonal. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin gra, të cilat kanë shtruar terrenin për rimëkëmbje klimatike në rajon. Në hapat tona në të ardhmen, do të kemi nevojë për angazhimin e fortë të grave dhe burrave, duke përfshirë edhe rininë, për zhvillimin dhe zbatimin e masave të bashkëpunimit që do të ofrojnë kontribut të mëtejshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon”, tha Žugić.
Ky raport është pjesë e projektit të OSBE-së “Fuqizimi i reagimit ndaj rreziqeve të sigurisë si pasojë e ndryshimeve klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe në Azinë Qendrore”, financuar nga Andorra, Austria, Republika Çeke, Gjermania, Italia, Lihtenshtajni, Luksemburgu dhe Norvegjia.