OSBE, UNHCR, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, rrisin përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë
Misioni i OSBE-së në Shkup, së bashku me Përfaqësinë e UNHCR në Maqedoninë e Veriut, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive nisën me punëtorinë rajonale që synon të mbështesë shtetin në përpjekjet për t’i dhënë fund pashtetësisë.
“Maqedonia e Veriut është bërë lider në rajon si dhe në nivel global duke e bërë prioritet nacional për t'i dhënë fund pashtetësisë deri në fund të vitit 2023.” tha Ambasadori Kilian Wahl, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Ky është një qëllim ambicioz por i arritshëm dhe misioni, së bashku me UNHCR, ka kënaqësinë ta mbështesë këtë proces.”
“Jam krenar që ne u bëmë shteti i parë në Evropë, si dhe shteti i dytë në botë, që me sukses e zgjidhëm problemin me personat e paregjistruar. Pres që deri në fund të vitit 2023 këta njerëz të marrin një identitet dhe më e rëndësishmja, ata më në fund do të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre të njeriut të garantuara me kushtetutë pa kufizuar qasjen e tyre në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale,” theksoi Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.
“Mungesa e dokumentacionit bazë personal është problem me të cilin ballafaqohen më së shpeshti pjesëtarët e grupeve sociale të cenueshme, pikërisht kur ata nisin procedurat para organeve kompetente – qendrave për punë sociale, institucioneve shëndetësore, Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’i përmbushur të drejtat bazike të njeriut” theksoi Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençhevska, duke shtuar se “Maqedonia e Veriut është duke ndërtuar një shoqëri ku qytetarët, pavarësisht se cilit komunitet etnik i përkasin, [duhet] të ndjehen të sigurt dhe të kenë mundësi të barabarta për zhvillim dhe përparim personal.”
“UNHCR e përgëzon përparimin e madh të bërë nga Maqedonia e Veriut për adresimin e pashtetësisë dhe shpreson se me implementimin e harmonizuar të ndryshimeve të fundit të Ligjit për Regjistrin Civil të miratuara nga Parlamenti në qershor dhe punën e palodhur të stafit të Zyrës për udhëheqje me librat e gjendjes civile, të gjithë ata që u mungon certifikata e lindjes dhe ata që aktualisht janë të regjistruar përkohësisht do të gëzojnë të drejtat e tyre si qytetarë krenarë të vendit,” shtoi Cristina Bunea, Oficere Përgjegjëse nga Përfaqësia e UNHCR në Maqedoninë e Veriut.
Qëllimi i një sërë punëtorive rajonale të organizuara nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe UNHCR në të gjithë vendin është të trajnohet stafi administrativë për aplikimin praktik të amendamenteve dhe plotësimeve të miratuara të Ligjit për Regjistrin Civil lidhur me regjistrimin e vonuar të personave të paregjistruar në Maqedoninë e Veriut.