Konferenca rajonale “Parlamentet avancojnë barazinë gjinore”, e mbështetur nga Misioni i OSBE-së, mbahet në Shkup
Përtej shifrave për barazinë gjinore në parlament. Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorja Kilian Wahl dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi hapën konferencën rajonale “Parlamentet avancojnë barazinë gjinore”, me rastin e 20 vjetorit të Klubit të Deputeteve.
Konferenca mbledh përfaqësues të parlamenteve dhe të operacioneve në terren të OSBE-së nga Evropa Juglindore, së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve të pavarur.
Në fjalimin e tij, ambasadori Wahl theksoi nevojën e angazhimit të deputetëve meshkuj për integrimin gjinor dhe tejkalimin e përqindjeve në përpjekjet për avancimin e barazisë gjinore.
“Ne e dimë nga kërkimet dhe studimet se vendet me barazi më të lartë gjinore janë më të suksesshme. Më të begata. Më inovative. Më të sigurta. Vendet me barazi më të lartë gjinore gëzojnë një standard shumë më të lartë jetese dhe ofrojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë. “Bëhet fjalë për njerëzit”, që siç e dini, është motoja e Kryesisë së Maqedonisë së Veriut,” tha ambasadori Wahl.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se nevojitet promovim të mëtejshëm të diversitetit në punë dhe në ligjet e miratuara nga Kuvendi.
“Rritja e mbështetjes së kolegëve deputetë për çështjet e gjinisë dhe diversitetit është gjithashtu jashtëzakonisht e rëndësishme. Duke bërë këtë, nuk kam parasysh vetëm një rritje numerike, por një kontribut cilësor dhe një angazhim konkret për të pasur një parlament vërtet modern dhe të ndjeshëm ndaj gjinisë sipas përcaktimit të Unionit Ndërparlamentar”, tha Xhaferi.
“Barazia gjinore është një parametër i rëndësishëm për demokracinë e përgjithshme të një shoqërie dhe performancën e saj në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në tërësi. E gjithë kjo nënkupton ndërgjegjësimin për nevojën e përfshirjes dhe pjesëmarrjes më të madhe të grave në të gjitha proceset dhe në çdo sferë shoqërore, që rezulton me përfaqësim më të madh në çdo segment,” tha zëvendësministrja e Jashtme Fatmire Isaki në fjalën e saj.
Operacionet në terren të OSBE-së në rajon tradicionalisht mbështesin organizimin e konferencave rajonale të grave deputete.
Partneriteti ndërmjet Misionit dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Klubit të Deputeteve, çoi në iniciativa të ndryshme të suksesshme në periudhën e kaluar, përfshirë miratimin e planeve shumëvjeçare të veprimit gjinor të Kuvendit.