Vlerësimi i rrezikut të korrupsionit nxjerr në pah sfidat, mundëson reformën në sistemin e drejtësisë
Rrëfimet dhe përvojat e dorës së parë të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë në qendër të Vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, i përgatitur nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky Vlerësim, i publikuar sot me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, hedh dritë mbi rreziqet dhe dobësitë që pengojnë dhënien e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Vlerësimi shqyrton rreziqet e jashtme dhe të brendshme të korrupsionit, të cilat përbëjnë kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë. Publikimi u përgatit në bashkëpunim me Shoqatën e Gjyqtarëve dhe Shoqatën e Prokurorëve Publikë, të cilët ndihmuan që gati gjysma e anëtarëve të tyre të merrnin pjesë në procesin e vlerësimit.
"Përmes zërave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe përvojave të tyre personale, ky vlerësim sfidon status quo-në. Ai nuk është thjesht një dokument - ai është një katalizator për ndryshim. Është një thirrje për veprim, duke na nxitur të përpiqemi për një gjyqësor që mbështet parimet e drejtësisë, pavarësisë dhe llogaridhënies. Është detyra jonë kolektive të sigurojmë që institucionet publike të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe të forcojnë shtyllat e demokracisë dhe sundimit të ligjit," tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl në promovimin e këtij publikimi.
"Akuzat për korrupsion janë të shumta. Anekdotat e ndikimit të padrejtë në sektorin e drejtësisë janë reale dhe të shumta. Kjo nuk është koha për "biznes si zakonisht"; kjo është një kohë për hapa dhe veprime të guximshme. Për të drejtuar më së miri burimet kolektive, le të shohim se çfarë na thonë të dhënat dhe le të punojmë së bashku për të luftuar korrupsionin që ekziston, si dhe për të eliminuar rreziqet që ai paraqet në gjyqësor," tha Eric Meyer, zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën amerikane në Shkup.
Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, tha se të gjeturat e Vlerësimit do të përcillen me rekomandime konkrete të politikave për të shoqëruar dokumentet kryesore strategjike të vendit lidhur me gjyqësorin.
Ajo u bëri thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që t'i përdorin këto gjetje për të përmirësuar integritetin e institucioneve të tyre përkatëse.
"Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Shkup prej vitesh rezultoi në aktivitete të shumta, me shumë dokumente të përpiluara, hulumtime dhe rekomandime, që synonin përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë. Vlerësimi është pjesë e këtij bashkëpunimi dhe shpresoj se do të kontribuojë ndjeshëm në zbatimin e mekanizmave ligjorë për një gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të hapur, si parakusht për ngritjen e besimit të publikut," tha gjyqtari Xhemali Saiti, kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Maqedonisë së Veriut.
Elvin Veli, kryetar i Shoqatës së Prokurorëve Publikë, tha se integriteti personal i prokurorëve publikë është mjeti më i rëndësishëm për heqjen e çdo ndikimi në procedurë.
"Të gjitha institucionet gjyqësore janë të ndërlidhura dhe rezultate efikase mund të arrihen vetëm nëse secili prej nesh investon personalisht dhe bën përpjekje maksimale për të ngritur standardet dhe etikën gjatë procesimit të rasteve," shtoi ai.