Të ndërtojmë ura të reja së bashku!
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Misioni i OSBE-së në Shkup publikuan dy thirrje për propozime në kuadër të projektit të Misionit ‘Ndërtimi i Urave të Reja’, i cili është krijuar për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet të rinjve me prejardhje dhe gjuhë të ndryshme gjatë ditës në shkollë, si dhe përmes aktiviteteve të përbashkëta mësimore.
Njëra thirrje është për Fondin e Arsimit të Integruar, i cili do të ofrojë mbështetje për shkollat publike dhe komunat për të promovuar aktivitete të përbashkëta shkollore (kurrikulare) ndërmjet fëmijëve që mësojnë në gjuhë të ndryshme.
Thirrja për propozime në kuadër të Fondit të Arsimit të Integruar është në dispozicion në këtë link
Thirrja e dytë është për Fondin e Arteve Ndërkulturore Rinore, i cili do të sigurojë fonde për organizatat e shoqërisë civile (OSHC) për të implementuar iniciativa të bazuara në arte që promovojnë dialogun ndëretnik, luftojnë diskriminimin dhe nxisin kohezionin social.
Aplikimi për grante për Fondin e Arteve Ndërkulturore Rinore është i disponueshëm këtu
Të dyja mundësitë e financimit janë pjesë e përpjekjeve të Misionit për të forcuar kohezionin social përmes edukimit të integruar dhe fuqizimit të të rinjve nën kujdesin e donatorëve të Misionit - Mbretërisë së Norvegjisë, Polonisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Projekti ndërlidhet me punën e mëparshme të Misionit për integrim ndëretnik në arsim për të avancuar demokracinë dhe kohezionin social në vend, përfshirë fondin origjinal ‘Ndërtojmë urat’, i cili mbështeti pothuajse 200 shkolla dhe kopshte për të organizuar aktivitete të përbashkëta jashtëshkollore nga e cila përfituan drejtpërdrejt më shumë se 35,000 nxënës.